Për Teutën, ndeshja e radhës, është ajo ndaj Egnatias. Një sfidë që duhet të fitohet me doemos, nëse durrsakët duan të lënë pak e nga pak fundin e tabelës dhe të “saldohen” në zonën e “sigurisë”. Mesfushori i Teutës, Xhoele Maçolli, i cili analizoi këtë takim, që do të luhet në fundjavë. Mesfushori shprehet, se pas fitores ndaj Tiranës, edhe në këtë duel, Teuta do të kërkojë tri pikët. Lojtari i “bluve” pranon se në këto momente nuk duhet parë fare renditja. Në Durrës, ndeshjet duhet t’i marrin një nga një, ndërsa llogaritë do të bëhen në javën e fundit të kampionatit.
Maçolli, pas asaj fitoreje me Tiranën, si e sheh tashmë Teutën?
Pas asaj fitoreje, normal, që morali është më i lartë. Dhe besoj se është kështu. Ekipi është gati, dhe jemi më të motivuar. Sigurisht, që këtë javë është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kjo, për vetë faktin, se duhet të fitojmë dhe të jemi brenda objektivave.
Xhoele, është gati Teuta për duelin ndaj Egnatias?
Do të luajmë ndaj Egnatias për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të kërkuar triumfin, sepse po kërkojmë të marrim tri pikët. Ne, gjatë rrugës, kemi lënë shumë pikë dhe do të kërkojmë t’i rikuperojmë për të arritur objektivin tonë. E gjithë si skuadër, jemi të përgatitur për të marrë pikë. E dimë që është një ndeshje e rëndësishme, dhe për këtë jemi gati.
A mund të themi që vazhdimësia e durrsakëve varet nga dy ndeshjet e ardhshme, Egnatia e Bylisi?
Duhet ta kuptojmë se ndaj Egnatias është një ndeshje e fortë dhe të gjithë djemtë e dinë. Duhet të kalojmë nga kjo përballje për të shkuar te tjetra. Duhet të jemi 100% të përqendruar në grup dhe më pas të mendojmë për ndeshjen e radhës. Siç kemi bërë gjithmonë, por besoj se të gjithë që janë në këtë skuadër do të japin maksimumin e tyre.
Cili është “çelësi” i suksesit që kjo Teutë ka shumë harmoni brenda saj?
Ne jemi një ekip, që kemi ecur përpara si grup, dhe do të ecim si grup. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Duhet të jemi të përqendruar. Kemi kualitet, si përpara, si dhe pas, për të bërë më shumë. Për të kaluar në avantazh dhe këtë avantazh ta mbrojmë deri në fund. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që të dielën, t’i tregojmë në fushën e lojës.
Cilat janë objektivat e Teutës këtë sezon?
Qëllimi primar është përmirësimi, dhe deri tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur në 36 javë.