Shkolla 9-vjeçare “Vinçenc Prendushi” në bashkëpunim me RiverCleanup Albania në nismën e tyre për të mbledhur plastikat që ndotin lumenjtë dhe detet, kanë realizuar së fundmi një mozaik me tapa të përdorura nën sloganin “Metamorfoza plastike”.
Ky mozaik i përbërë me 3076 tapa duke ruajtur origjinalitetin e ngjyrës së tyre, vjen në formatin 200 cm me 140 cm.
Erisa Bekteshi nga shkolla “Vinçenc Prendushi”, na tregon më shumë rreth kësaj nisme, sa nxënës u impenjuan në realizimin e këtij mozaiku kaq domethënës, sa kohë iu është dashur për finalizimin e projektit etj.
Si lindi ideja dhe sa kohë ju duhej për të përfunduar mozaikun?
Gjatë kësaj nisme filloi së pari ndarja e tapave nga shishet duke bërë më pas edhe ndarjen e ngjyrave të tapave. Pikërisht këtu nisi dhe imagjinata se si ne ushqeheshim dhe sa i ndotur është mjedisi ynë. Na erdhi ideja që ndotja jonë fillonte në lumenj, dete… Kështu menduam idenë e peshkut ku brenda barkut të mbarte papastërtitë.
Mesatarisht janë dashur rreth 3 muaj kohë për punimin e mozaikut.
Sa nxënës janë përfshirë?
Mund të them se të gjithë nxënësit e shkollës janë impenjuar për këtë projekt. Pasi dhe vetë lënda e Artit Pamor u kthye në dispozicion të ndërtimit të kësaj pune. Përpos talentit të gjithë nxënësit kanë ndihmuar në realizimin e mozaikut duke e ndjerë veten dhe ata protagonistë në përfundimin e veprës.
Çfarë materialesh janë përdorur dhe ku i keni siguruar?
Materialet janë siguruar nga grumbullimi i shisheve nga nxënësit duke i risjellë në shkollë, si dhe tabaku i dërrasës dhe vidat janë mundësuar nga Valbona Sakollari. Mënyra e bashkangjitjes ka qenë me silikon dhe vida.
Është një projekt ku vetë nxënësit u impenjuan me pastrimin e lumit Ishëm, aty ku u frymëzuam me punën tonë, teksa erdhëm me sloganin “Metamorfoza plastike”.
Një mesazh për të gjithë ne që nuk duhet ta ndotim ambientin:
“Ajo ç’ka i japim botës ujore ne sot, do të na e servirin nesër”.