Afro 1 orë e 20 minuta ka qëndruar në mjediset e IEVP-së Durrës, ministri i brendshëm i Greqisë, Joanis Ikonomu. Ai është takuar aty me Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të bashkisë Himarë.

Ministri Ikonomu mbërriti me herët se njoftimi që ishte bërë një ditë më parë, ku theksohej se zyrtari i lartë grek do të mbërrinte në burg në orën 11.00.

Ministri Ikonomu ka mbërritur rreth orës 10.30 dhe ka dale prej ambienteve të burgut në orën 11.50.

Ai është larguar pa dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Ministri grek ka qenë ditën e djeshme në Tiranë për të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takimin e rëndësishëm mes ministrave u diskutua menaxhimi i Integruar i Kufijve, Bashkëpunimi Rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe Partneriteti për krimin kibernetik në Ballkanin Perëndimor.