Ministri i Financave, Petrit Malaj ka deklaruar se brenda muajit maj do të dalin aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse të ligjit për Paqen Fiskale dhe fshirjes së detyrimeve tatimore.
Deklarata u bë në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ku ministri Malaj u pyet nga gazetarët. Sipas tij edhe këto akte janë konsultuar me organizma ndërkombëtare, ashtu siç kanë bërë edhe me ligjet në vetvete.
Ai u shpreh besimplotë se brenda muajit maj këto akte nënligjore do të bëhën publike.
“Sa i takon akteve nënligjore ato janë drejt fazës finale. Shumë shpejt do të dalim me aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse sa i takon qoftë Paqës Fiskale, qoftë fshirjes së detyrimeve.
Ka qenë një periudhë që e kemi negociuar me organizma ndërkombëtar për aktet nënligjore ashtu sic bëmë edhe me ligjet në vetvete.
Jam besimplotë që brenda muajit maj do ti kemi mbyllur proceset respektive.
Për pjesën e fshirjes së detyrimeve tatimore dhe doganore ato do të jenë në linje me ato që janë parashikuar në ligj. Aktet nënligjore dhe udhëzimet janë më tepër pjesë e sqarimit si do të bëhet procedura dhe patjetër që do përfitojnë të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e ligjit të faljes së detyrimeve”, tha Malaj.





