Më 68 vota pro dhe 21 kundër, Kuvendi ka miratuar projektligjin për privatizimin e pronës shtetërore.

Kalimi për në seancë plenare me shpejtësi i projektligji për privatizimin e pronës shtetërore, ku parashikohet edhe shkëmbimi i saj me private, nxiti debatin që në nisje të seancës plenare të kësaj të enjteje. Opozita kërkoi heqjen nga rendi i ditës, duke akuzuar mazhorancës për klientelizim dhe korrupsion.

“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr.ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe  ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla.

Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, tha deputetja demokrate Dhurata Çupi.

“Duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme. T’i dhurosh oligarkut atë që deri dje e mbulonit me ligjin për investitorët strategjik”, tha deputeti Arbi Agalliu.

Por, përgjigjen opozita e mori nga deputeti propozues, kryetar i komisionit të Ekonomisë, Shalsi.

“Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin.  Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak”, u shpreh Shalsi.