Urbanisti Ardian Muka, njëherësh kandidati i koalicionit opozitar “Shtëpia e lirisë” për bashkinë e Durrësit, ka qenë gjithnjë aktiv në ngritjen dhe trajtimin e kauzave civile dhe kurdoherë i gatshëm për të mbështetur qytetarët për shqetësimet e tyre.

Ditën e sotme, në një video të postuar në adresën e tij zyrtare në “Facebook”, Muka ka përmbledhur disa nga intervistat që ka dhënë për mediat, kryesisht gjatë viteve të fundit.

Në të shihet Muka pjesmarrës në protesta, mbrojtës i historisë dhe vlerave kulturore të qytetit, por gjithashtu në një moment dhe debati me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.

Këtë video Muka e ka shoqëruar me statusin:

I kam shërbyer me pasion Durrësit. Si urbanist, gjithmonë kam ngritur zërin për ruajtjen e trashëgimisë së qytetit. U jam bashkuar kauzave qytetare dhe kam debatuar fort me pushtetarët duke ua thënë në sy aferat korruptive.

Si sipërmarrës, kam punësuar qindra durrsakë dhe kam ndihmuar ekonominë e qytetit. Kam punuar me ndershmëri dhe asnjëherë nuk kam kërkuar asnjë përfitim nga taksat publike apo të favorizohem nga pushteti, i cilitdo krah politik.

Unë besoj tek politika e ndershme dhe puna e cila identifikon çdo durrsak. Ashtu si ju, unë besoj në një politikë që duhet t’u shërbejë njerëzve dhe jo pasurimit të politikanëve.

Na duhet një bashki që punon për njerëzit, që krijon mundësi për të gjithë. Një kryebashkiak vetëm për interesin e Durrësit.