Priti plot 27 vite për ta sjellë për publikun e gjerë një këngë që e kishte shkruar kur ishte vetëm 10 vjeçe. Muzikantja Metila Dervishi, një emër i njohur në rrethet muzikore të qytetit të Durrësit por jo vetëm, ka zgjedhur pikërisht Ditën Botërore të Librit për të sjellë këngën e saj më të re, të titulluar “Himni i librit”.

Këngën, Dervishi e ka shoqëruar edhe me një videoklip (e gjeni në fund të shkrimit) për të përcjellë edhe më fort mesazhin tek fëmijët e vegjël; duhet të kthejmë sa më shumë vëmendjen tek libri.

“Ku ka më bukur të ndikosh e të frymëzosh fëmijët për të ardhmen e tyre, për një të ardhme me libra e muzikë. T’i edukosh që në gjenezë me këto dy komponentë të rëndësishëm, do të thotë të krijosh fëmijë të shëndetshëm që nesër do të bëhen adultë më të pjekur, më të thellë, më të fortë për të përballuar sfidat e jetës e mbi të gjitha për atë që kemi më shumë nevojë, më njerëzorë”,– thotë muzikantja Dervishi.

“Hyrja e klipit është një mesazh që fëmijët të lënë teknologjinë dhe të jepen pas librave se aty do e gjejnë magjinë, përmbushjen e do të gjejnë dhe fëmijërinë!”,– thotë më tej Dervishi.

Të realizosh një klip muzikor me fëmijë të mitur (3 vjeç e sipër) nuk është aspak një sipërmarrje e lehtë, por Dervishi është mjaft e kënaqur me punën e realizuar nga i gjithë stafi.

Bashkëpunimi me G&L Production, mjeshtrin e njohur Ylli Ramzoti, kompozitor i sa e sa këngëve për fëmijë, por edhe tekstshkruesen Flora Gjondedaj Dervishi, nuk kishte sesi mos të konkretizohej kaq bukur në këngën “Himni i librit”.

Autore e disa këngëve tashmë, Dervishi e shpreh qartë se nuk do të ndalet këtu. Një frymëzim i madh për Metilën, në punën e përditshme me fëmijët në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” por edhe në studion “Music, Fun&[email protected] Metila’s“ është vajza e saj O’drit.

Prezantimi i këngës së saj u bë pikërisht në Ditën Botërore të Librit, në Bookland. Al, ETC Galeria.