Inmemoriam/ Kjo dorë është përshëndetja jote e përjetshme
Ndahet nga jeta Dhurata Qesja!
-Pranë teje vëlla, t’i nuk do të mbetesh vetëm!

Nga BUJAR QESJA
Nuk do të doja të vinte ky rast. Luteshim për ditë. Kurajo jote na jepte zemër. Ekipi shëndetësor i spitalit të Pizës, me në krye kirurgun e famshëm Italian Luka Moreli, nuk nxitoheshin për të thënë se nuk mundeshin. Mbi 16 muaj Dhurata Qesja, bashkëshortja e tim vëllai Yllit, iu bë e qartë se një sëmundje e rëndë e kishte sulmuar. A mund t’i bëhej derman? Vështirësitë shtoheshin dhe qendresa bëhej edhe më e madhe.
Për ti dhënë siguri jete, Dhurata Qesja bëhet paciente e spitalit onkologjik të Pizës. Operacione, ndërhyrje nga më të ndryshmet, seanca të vazhdueshme me kimioterapi dhe gjendja dukej se po kontrollohej.
Kisha dëgjuar, se më mëlçinë nuk luhej. Por ky Morel i famshëm, mbetet arritja e re e shkencës dhe besuam, se mrekullia do të ndodhte me Dhuratën tonë. Në fundin e dhjetorit të vitit të kaluar, lajmet nga Piza po vinin të mbara. U detyrova të shkruaja për këtë arritje dhe t’i ishim mirënjohës bluzave të bardha italiane.

Per momentin iu garantua jeta. Por fati është fat dhe me të nuk luhet. Në fundin e muajit shkurt 2023, e keqja që nuk e di ku fshihej, nxjerr sërish kthetrat. Kishim filluar të diskutonim me Dhuratën për pushimet e radhës në Voskopojë. Do të vizitonim Korçën, Boboshticën, Dardhën, Vithkuqin dhe Ersekën. Edhe Pogradecin do ta preknim.
Mbesa ime Geana, po përgatitet për të dhënë koncert me kitare, atje në Voskopojën tonë të pushimeve. Teta Dhurata mezi po e priste. Në koncertin e menduar, do të ishin edhe Hera me Elodinë, dy vajzat e djalit, Indritit. Por edhe Enea, djali i vajzës, Edlirës.

Kur po bisedonim në një nga ditët e fundit, vija re optimizmin e Dhuratës për të mbijetuar.
-Dua të jetoj, më thonte. Nuk kam ndonjë moshë, për të thënë se jam e plakur. 70 vite sot nuk janë asgjë. Sa të mbaroj dhe tre kimiot e fundit, do të nisemi me Yllin në Voskopojë. Klima e freskët, do ta ndihmoj shëndetin tim.
Pasi mbaroi fakultetin e mjekësisë, Dhurata Qesja u caktua të punontë në fshatin Lekaj në rrethin e Durrësit. Pranë njerëzve në hallet dhe shëndetin e tyre. U bë njësh me banorët e fshatit, të cilët qanë si fëmijë kur u transferua prej andej. Cilësitë e saj organizative, aftësia në profesion, dashuria dhe respekti për njerëzit, ndikuan që ajo të vihej në krye të disa institucioneve shëndetësore në Durrës. Drejtoreshë e Qendrës Sanitare dhe më pas derisa doli në pension, Drejtoreshë në Drejtorinë e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Durrës.

Puna dhe përkushtimi i doktoreshë Dhurata Qesjes, është shumë e njohur. Gjithnjë dashuria dhe respekti ndaj njerëzve, mirkuptimi me kolegët e punës, bashkëpunimi me institucionet shëndetësore lokale dhe kombëtare, ia ngritën nivelin e përfaqësimit. Buzagaz, e qetë, fisnike në shpirt, Dhurata ishte dhuratë shpirtërore me të cilët bashkëpunoi.

20 vitet e fundit, nuk kanë qenë të lehta për Dhuratën. Operacione në zemër, asistencë e mirfilltë profesionale në klinikat turke të Stambollit. Pa u qetësuar ende nga kjo, goditet nga sëmundja e shekullit. Operohet dhe heq një pjesë të trupit dhe mbijetoi. Ana më e fortë e Dhuratës, ishte optimizmi për të kapërcyer të keqen, të ligën.
Në të gjitha këto beteja, a luftë si mund ta quash, dëgjoja nga goja e saj vetëm këto fjalë:
-Do t’ia dal! Kam bindje për këtë.
Dhe ia dole motra ime Dhurata. Por një tjetër pritë të ishte zënë. Tjetër sfidë. Tjetër përpjekje. Megjithëse hyre sërish në luftën e mbijetesës, megjithëse kërkove përsëri ndihmë armëve të tua të fuqishme të optimizmit, situata po shkonte drejt fatalitetit. Rikthimi i sëmundjes së mbrapsht, ishte më e ashpër.
E ashpër dhe i fortë reagimi yt. Nëse kujtesa për ty do të më kaplojë memorien, gjithnjë do të më dalë përpara qendresa yte e pashembullt. Këtë na e le, si cilësinë tënde më të ndjeshme. Dhe të jesh i sigurtë, se frymëzimin pas kësaj do ta marrim këtu.

E shtunë, 27 maj 2023. Në orën 12.40 minuta, kur nuk e mendoja kurrë këtë lajm se do të më vinte kaq shpejt, Indriti, nipi im i shkëlqyer, djali i Dhuratës dhe i Yllit më njofton:
-Mami na la!
Ndodhesha me disa miq të rrallë, teksa bisedonim për hallet e ditës, në këtë jetë aspak të lehtë, veçanërisht për moshën tonë. E na duhet të forcojmë shpirtin dhe zemrën, e na duhet të shtrëngojmë dhëmbët, për të menduar se do t’ia dalim.
Eh lajm i ligësht! Eh lajm i kobshëm! Kam përcjellur me shkrimet e mia, shumë miq e shokë, por kjo e kësaj rradhe m’i ka rënduar duart, m’i ka veshur si me mjegull sytë, e kryet më është rënduar nga dhimbja. Gjoksi sa s’më del vëndit dhe kujtoj fjalitë e fundit, fjalitë e vetme që munda të dëgjoj nga Dhurata. Ishin momentet që sëmundja po mirrte për keq, e shenjat e shpëtimit po veniteshin, gati, gati në shuarje.

-Të paktën të mos vuaj! Ky ishte fati im! Ju falenderoj të gjithëve, çka bëtë për mua! Ju dua shumë!
U mora leje shokëve dhe dola në rrugë duke qarë. Lot për ty Dhurata! Jo, jo, nuk e mendova kaq shpejt! Kam 480 ditë që pyes për shëndetin tënd. Dhe tani çfar duhet të bëj? Zor se do të mësohemi me ikjen tënde. Me Kostandinën do të vimë përsëri, për të pyetur për shëndetin tënd dhe do të themi : Si ndjehesh Dhurata? Dhe do të lexojmë në fytyrën tënde, shenjat e optimizmit të pa cak: Do ta kaloj! Voskopojën do t’a kalojmë edhe këtë vit së bashku.
Çfarë do ti them Geas, tani që mbylle sytë? Ajo po përgatit koncertin. Dhe është e sigurtë, se një duartroktitje do të dallohet nga të tjerat. Dhe një thirrje natyrisht, do të jetë mbi të tjerat. Ajo duartrokitja është e jotja Dhurata. Dhe ai zë, është i yti Dhurata. Hera, Enea dhe Elodia vazhduesit e gjakut tënd, a do të na besojnë se gjyshja e tyre aq e dashur, nuk jeton dhe nuk do t’i shikoj më? Cili është i pari, që do të guxoj ta bëj këtë gjë?
Janë momente nxitimi, që duhet me i çfaq në publik, këto rradhë për ty Dhurata jonë. Zgjodha një foto, nga më të bukurat që ruaj për ty, në këtë që quhet arka ime e kujtimeve. Ti këtu je e qeshur. Dora jote, që komandohet nga shpirti yt, është e ngritur dhe lëviz në formë përshëndetjeje. Ky është mesazh Dhurata, të paktën unë kështu do ta ndjej.

Kjo dorë, është përshëndetja jote e përjetshme! Lotët sikur m’u ndalën, pasi i zëvëndësoi buzëqeshja jote. Dhe këtë buzëqeshje, na takon të mos e harrojmë. Është përshëndetja e gjithëkohëshme e jotja, brenda shpirtërave tanë.
Ti je me ne Dhurata! Je pranë Yllit tënd, që aq shumë ia lakoje emrin në minutat e fundit të jetës. Je pranë Indritit dhe Edlirës fëmijëve, që u bënë copash për shëndetin tënd. Je pranë Herës, Eneas dhe Elodisë. Je edhe pranë Geas time. Je pranë, pranë të të gjithëve ne.
Dhe këtë na takon ta besojmë! Ti nuk ke ikur Dhurata Qesja, por çdo ditë do të vish drejt nesh. Edhe këtë le ta besojmë. Dheu i lehtë motër!

Durrës: 27 maj 2023