Ndarja e parakohshme nga jeta e 36-vjeçarit nga Durrësi, Gazment Bushi, ka shkaktuar dhimbje tek familjarët, të afërmit dhe miqtë. Të shumta janë mesazhet e ngushëllimit në rrjete sociale nga miq të tij, të cilëve u duket ende e pabesueshme që babai i dy fëmijëve është ndarë nga kjo jetë.  

“U prefsh ne paqe shoku Im, sdo ti harroj kurre momentet me ty, do te Kem perher ne zemer Gazi Bushi”,- shkruan njëri nga miqtë e tij.

Ndërkohë që nuk mungojnë mesazhet plot dhimbje edhe nga miqtë italianë, me të cilët Gazi kishte krijuar shoqëri gjatë viteve të qëndrimit në vendin fqinjë.

“Nuk arrij dot ta besoj! Dheu të qoftë i lehtë! Udhëtim të mbarë miku ynë i shumë aventurave… Gazi Bushi”,– shkruan një mikeshë e tij italiane.

Gazment Bushi kishte dalë për të shijuar një mbrëmje me miqtë e tij, por pasi doli nga lokali u përplas për vdekje nga një automjet tip “Porsche” që po ecte me shpejtësi.

Tragjedia ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të së shtunës në vijat e bardha në Livorno. Ai shoqërohej me një mik teksa po shkonte të blinte një shishe ujë kur u godit për vdekje nga makina, e cila drejtohej nga një 33-vjeçar që ishte në gjendje të dehur, shkruajnë mediat italiane.

Bushi u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli të mbijetonte për shkak të dëmeve të rënda që kishte marrë në kokë. Gazment Bushi, i njohur ndryshe si Gazi, punonte si murator në kompaninë e ndërtimit të vëllait të tij. Ai la pas gruan me dy fëmijë të vegjël, një djalë tetë vjeç dhe një vajzë 8 muajshe.