Ndarjet janë të papëlqyeshme, tmerrësisht të papëlqyeshme. Takimi i fundit është zakonisht i pritshëm, pasi gjërat nuk po ecin më aq “vaj” si në fillim dhe e ndjen se marrëdhënia po merr të tatëpjetën. Pastaj vijnë pasojat… ndihesh vetëm, ndihesh i pavlerë, ndihesh i braktisur.

Përpos letërsisë që frymëzon kjo ngjarje, ndarja shkakton shumë më shumë sesa mund ta mendoni. Sikur dhembjet e zemrës të mos mjaftonin, stresi i ndarjes mund të të shkaktojë edhe dhembje koke, ethe, të të sëmurë edhe fizikisht. Dhe kjo sipas ekspertëve, është normale.

Siç shpjegon për “Cosmopolitan” mjekja Mira Kaga nga New Jersey, trupi e ndjen ndarjen po aq shumë sa mendja. Në fund të fundit është një situatë stresi si çdo situatë tjetër stresi. Kjo aktivizon “gjendjen e luftës” në trup, diçka që ndodh sa herë jemi të stresuar, prandaj jemi aq të paqetë dhe të tensionuar.

Nivelet e adrenalinës dhe kortisolit kapin majat. Shtimi i këtyre hormoneve shkakton rënien e sistemit imunitar, duke na bërë pre të lehtë për gripërat dhe ftohmën.

Pra, ndarja nuk është shkaktare e drejtpërdrejtë e sëmundjeve; janë hormonet e stresit që mbijnë ngado nëpër trup, që na dobësojnë organizmin.

Një tjetër pasojë që lidhet me adrenalinën është pagjumësia. Adrenalina në nivele shumë të larta na jep ankth, tension, nuk e lejon trupin të bjerë në gjendje qetësie. Pastaj mungesa e gjumit lë pasoja të tjera, si luhatje të humorit, uri, një rreth vicioz shumë i vështirë për të dalë.

Kështu që nuk jeni ju: janë hormonet tuaja që ju bëjnë vulnerabël pas një ndarjeje. /Anabel.al