Mëngjesin e sotëm u dha lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta e artistit durrsak, Qemal Kërtusha.

Në një postim në rrjetet sociale, teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe të afërmve.

Në postim, bëhet me dije se “homazhet për të ndjerin zhvillohen në Hollin e Qendrës Kulturore “A.Mosiu” (Teatri A.Moisiu), ditën e enjte datë 10 mars në orën 10-11″.

Postimi i plotë:

Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të këngëtarit dhe artistit të shquar durrsak Qemal Kërtusha.

Homazhet për të ndjerin zhvillohen në Hollin e Qendrës Kulturore “A.Mosiu” (Teatri A.Moisiu), ditën e enjte datë 10 mars në orën 10 – 11.

Qemal Kërtusha u lind më 27 tetor të vitit 1931. Përfshihet në lëvizjen amatore artistike të qytetit qysh në vitin 1946. Në vitin 1948 është pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë. Në vitin 1951 pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 – 53 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “A.Moisiu”. Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera. Në vitin 1962 është pjesëmarrës i festivalit të parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me cmimet e fituara në shtatëmbëdhjetë festivale rresht. Në vitin 1963 ai pregatit dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 merr pjesë në operan “Bijtë e Skëndërbeut”. Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, në vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”. Është fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku.

Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana. Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit.

𝑻𝒆𝒂𝒕𝒓𝒊 “𝑨𝒍𝒆𝒌𝒔𝒂𝒏𝒅𝒆̈𝒓 𝑴𝒐𝒊𝒔𝒊𝒖” 𝒔𝒉𝒑𝒓𝒆𝒉 𝒏𝒈𝒖𝒔𝒉𝒆̈𝒍𝒍𝒊𝒎𝒆𝒕 𝒎𝒆̈ 𝒕𝒆̈ 𝒕𝒉𝒆𝒍𝒍𝒂 𝒅𝒉𝒆 𝒔𝒊𝒏𝒒𝒆𝒓𝒕𝒂 𝒇𝒂𝒎𝒊𝒍𝒋𝒂𝒓𝒆̈𝒗𝒆 𝒅𝒉𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒂𝒇𝒆̈𝒓𝒎𝒗𝒆. 𝑼 𝒑𝒓𝒆𝒉𝒕𝒆̈ 𝒏𝒆̈ 𝒑𝒂𝒒𝒆!