Tre mjekë të qytetit të Durrësit ishin personalitetet e nderuara mbrëmjen e së mërkurës gjatë aktivitetit festiv “Festa e ullirit”, të organizuar nga shoqata “Durrësi Autokton”.

Mjekja e njohur neurologe Jera Kruja u nderua me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit”, ndërsa kirurgu ortoped Bashkim Habibi dhe mjekja reanimatore Manila Selimi u nderuan me titujt “Mirënjohja e qytetit të Durrësit”.

Gjatë aktivitetit u prezantuan dokumentarët prezantues për të 3 figurat e nderuara të qytetit, të realizuara nga Astrit Tahiri.

Si çdo vit tjetër, në “Festën e ullirit” nuk kishte si të mungonte edhe mbjellja e ullirit, pemës që i ka dhënë emrin këtij eventi, që zhvillohet në Durrës prej mëse dy dekadash.

Ishte kryetari i shoqatës “Durrësi Autokton”, Abdulla Deliallisi, që mbolli ullirin e radhës në lulishten në krah të bashkisë.