Punimet për restaurimin e Hamamit, monumentit të trashëgimisë kulturore i kategorisë I, në Durrës janë ndërprerë prej pak kohësh.

Objekti i rëndësishëm kulturor, i cili pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i vitit 2019, iu nënshtrua një restaurimi të plotë që nga fillimi i këtij viti.

Monumenti po restaurohet me fondet e BE-së, në kuadër të projektit EU4Culture.

Një e papritur e dalë gjatë punës së restauratorëve ka sjellë ndërprerjen e punimeve.

Nga një komunikim zyrtar që “DurrësLajm” pati me UNOPS-in mësojmë se shkak i ndërprerjes është bërë një problem strukturor.

“Kur u hoq e gjithë shtresa e papërshtatshme e suvasë së çimentos, ekipi i restaurimit zbuloi se muratura historike ishte në gjendje shumë të keqe. Për të zgjidhur këtë problem, ekipit iu desh të ridizajnonte masat e stabilizimit strukturor. Aktualisht projekti është në fazën përfundimtare të miratimit të projektit dhe punimet duhet të nisin së shpejti”,- bën të ditur UNOPS.

Restaurimi i Hamamit pritej të përfundonte brenda 6 muajve, por afatet e dorëzimit do të shtyhen në kohë.

Për ndërhyrjen në këtë monument, BE ka akorduar rreth 32 milionë lekë, ndërkohë që punimet përfshijnë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.

Në nisje të punimeve për restaurimin e monumentit, EU4Culture publikoi disa imazhe se si do të duket ky objekt pas punimeve të planifikuara.

Ndërkohë drejt përfundimit janë edhe punimet për restaurimin e Kullës Veneciane dhe kthimin e saj në një qendër multimediale që do të shërbejnë për informimin dhe orientimin e vizitorëve në gjithë qytetin e Durrësit.

Ditë më parë, Muzeu Arkeologjik Durrës mbylli dyert për t’iu nënshtruar rikonstruksionit, që do të kushtojë 2.7 milionë euro.

Muzeu i vetëm në llojin e tij në vendin tonë pritet të rihapet pas një viti.

M.B.