Punimet në kantierin e lotit të 3 të rrugës Porto Romano-Durrës duket se janë drejt përfundimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se punimet po ecin me ritme të shpejta dhe realizimi fizik deri tani ka arritur në 55%, ndërsa ajo e veprave të artit në 80%.

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale ARRSH-ja thotë se rrugët dytësore janë pothuajse të përfunduara, ndërkohë që po punohet për sistemimet e skarpateve dhe betonimet e kanaleve në pjesën e autostradës.

Sipas grafikut të punimeve, ky projekt pritet të përfundojë para afatit të parashikuar në kontratë, i cili është deri në fund të shtatorit.

Ky lot me një gjatësi 3.3 km, është një investim në funksion të Parkut Energjetik dhe Industrial të Porto Romanos si dhe zonave të lira në zhvillim duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve.

Ndërtimi i këtij aksi rrugor do të prekë shumë sipërfaqe toke të banorëve të zonës dhe janë gjithsej 124 banorë që do të shpronësohen, pasi preken nga ky projekt.