TIRANE – Sektori i ndërtimit është përfshirë nga kriza, e kjo jo vetëm si pasojë e rënies së ndjeshme të kërkesës për apartamente, por edhe për shkak të borxhit të madh që qeveria u ka kompanive që kanë ndërtuar vepra të ndryshme publike. Ndërtuesit deklarojnë se detyrimet e pashlyera nga qeveria llogariten në rreth 100 milionë euro, borxhe që sipas tyre kanë zhytur në krizë sektorin e ndërtimit. 

“Borxhi i administratës publike, gjithmonë e kemi theksuar, edhe institucionet qendrore dhe bashkitë dhe komunat, për punimet publike kalon 100 milionë euro. Shumë firma kanë mbyllur pothuajse fare aktivitetin, kanë pushuar njerëz, ose edhe ata që nuk kanë pushuar kanë bërë një ulje të rrogave, në masën deri në 30%. ”- deklaroi kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi. 

Shoqata e Ndërtuesve shqiptarë ka bërë gati propozimet për partitë politike, që do të përfshihen në garën elektorale të vitit të ardhshëm. Kërkesë primare e kësaj shoqate është shlyerja e borxheve. Deklarata e ndërtuesve vjen në një kohë kur Ministria e Transporteve deklaron se nuk u ka borxhe kompanive që kanë kryer investime publike.  

“Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, duke patur parasysh që viti i ardhshëm është një vit elektoral, është përgatitur që të bëjë propozimet e saja për programet ekonomike të partive që do të konkurrojnë, ku ndër pikat më kryesore është partneriteti, kërkesat për një zhvillim të qartë strategjik ekonomik të vendit, eliminimi i praktikave centralizuese, shtrënguese fiskale që kanë të bëjnë kryesisht me referencat dhe hartimi i një programi për likuidimin e borxhit.”- u shpreh Muçi. 

Në të gjithë vendin janë rreth 12 mijë apartamente të pashitur dhe efektet e krizës që po ndihet gjithnjë e më shumë në ekonominë shqiptare e bëjnë akoma më të vështirë situatën për ndërtuesit.