Prej disa muajsh tashmë, Qendra Evropiane me mbështetjen e Zyrës  Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) Programi Migracion për Zhvillim është duke zbatuar projektin  për “Ofrimin e ndihmës juridike falas si një domosdoshmëri  për ri-integrimin e të kthyerve nga emigracioni”.

Duke parë përmasat e gjera që ka marrë në Shqipëri fenomeni i emigrimit drejt vendeve të BE-së, projekti është shtrirë në disa qytete, mes të cilëve dhe Durrësi. Avokatja Erisilda Shpata bën të ditur se gjatë kësaj periudhe janë asistuar 120 persona me ndihmë juridike parësore dhe dytësore falas.

“Qytetarët kanë përfituar ndihmë juridike jo vetëm përsa i përket informacionit parësor për çështje apo procese gjyqësore për dhënien e këshillimit, mënyrës sesi mund t’i drejtohen institucioneve, administratës shtetërore, por në anën tjetër kemi përfaqësuar edhe qytetarë të ndryshëm në proceset gjyqësore. Kryesisht jemi ndalur tek pjesa e qytetarëve që kanë pasur nevojë për t’u përfaqësuar në proceset urgjente të lëshimit të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, në njohjen e vjetërsisë në punë apo në korigjimin e të dhënave në aktin e lindjes”, – thotë për “DurrësLajm” avokatja Shpata.

Për shkak të problemeve ligjore që u krijohen shumë të rinjve pas kthimit nga emigracioni, si ndalesa hyrjeje në zonën Schegen, deportime etj, kohët e fundit ka nisur të konstatohet nga avokatët fenomeni i martesave fiktive të meshkujve (25-35 vjeç) me gra me diferencë të theksuar në moshë, 10, 20 apo 30 vite më të mëdha. Bëhet fjalë jo më për shtetase të huaja, por qytetare të Shqipërisë apo Kosovës.

“Raste të tjera që ne kemi ndjekur janë martesat fiktive të lidhura mes shteasve shqiptarë me bashkëshorte më të mëdha në moshë apo bashkëshorte që nuk i njohin, me qëllimin e vetëm ndryshimin e mbiemrit për lëvizjen në zonën “Shengen”. Këto martesa janë të ndaluara sipas ligjit, sepse bëhen fiktivisht dhe disa nga këto raste ne i kemi ndjekur duke përfaqësuar në këtë rast të paditurën, ose bashkëshorten e personit që ka abuzuar”,- thotë Shpata.

Për shkak të mungesës së informacionit, ka shumë të kthyer nga emigracioni që nuk dinë se mund të përfitojnë falas ndihmë juridike.

Për këtë avokatja Shpata jep të gjitha informacionet e nevojshme, ku duhet të adresohen të interesuarit.

“Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për përfitimin e ndihmës juridike parësore apo ndoshta udhëzimin për të përfituar ndihmën dytësore mund të drejtohen pranë Zyrës së Ndihmës Juridike që ndodhet pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës ose të kontaktojnë tek faqja e Qendrës Evropiane (www.unemundem.al)., ku mund të gjejnë të gjitha kontaktet për përfitimin e saj”,- thotë avokatja Shpata.

Qëllimi i kësaj nisme është të sigurojë akses në drejtësi dhe qëndrueshmëri për të kthyerit nga migrimi si dhe për personat e predispozuar për të emigruar në mënyrë të parregullt.

M.B.