Hipën në një taksi dhe më pas e kërcënuan me thikë drejtuesin e taksisë dhe i morën një shumë parash, falë reagimit të shpejtë të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga autorët e dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur në Durrës, ku policia vuri në pranga 26-vjeçarin Agron Braha dhe 29-vjeçaren Viola Bodlli, të cilët kërcënuan taksistin me një thikë dhe i morën një shumë parash.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se dy shtetas kishin kërcënuar me thikë një drejtues taksie dhe i kishin marrë një shumë parash, menjëherë organizuan punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve, konkretisht shtetasit:

  • *Agron Braha, 26 vjeç, banues në Durrës
  • *Viola Bodlli, 29 vjeçe, banuese në Kavajë

Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00, në lagjen Nr.13, në vendin e quajtur rrethrrotullimi “ILIRIA” në plazh, këta shtetas hipën në automjetin taksi me drejtues shtetasin I. K.

Në momentin që hipën në makinë, 26-vjeçari dyshohet se kërcënoi taksistin me një thikë, ndërsa e reja i mori një shumë parash që taksisti kishte në makinë (xhiron ditore) dhe u larguan nga automjeti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.