Një video e një sherri të ndodhur në mes të rrugës në qytetin e Durrësit ditën e sotme, ku një vajzë ka thyer me shkop bejsbolli xhamat e një makine, po bën xhiron e mjetit.

Në pamjet filmike të publikuara nga “JOQ” shihet një vajzë, që me një shkop bejsbolli në dorë ulëret dhe thyen xhamat e një automjeti.

Sipas informacioneve që vijnë nga vendi i ngjarjes, ende të pakonfirmuara, shkak i konfliktit është bërë një parakalim.

Pasi një automjet me drejtues një mashkull ka parakaluar automjetin e të resë, kjo e fundit ka ndaluar makinën dhe ka rendur për ta goditur me shkop.

Nga video e filmuar shihet si njerëzit të ndodhur aty pranë përpiqen ta mbajnë nën kontroll, teksa ajo vrapon për tek automjeti dhe qëllon vazhdimisht me shkop xhamat e makinës.

Nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga policia e qytetit, nëse ka qenë ky shkaku real i konflikit, apo diçka tjetër që lidhet me 2 drejtuesit e automjeteve.