Më shumë se 4 vite pas tërmetit të frikshëm të nëntorit 2019, shumë familje të cilave u janë dëmtuar godinat ku banonin kanë nisur të “vrasin frikën”. Ato janë rikthyer të banojnë në pallatet e dëmtuara, në të cilat nuk janë kryer punime riparimi apo riforcimi.

“Unë besoj se s’ka rrezik. Riparimi duhet, ndërsa rrezikun e cilësojnë ata që e kanë vlerësuar fillimisht DS3. Unë nuk i trembem një tjetër tërmeti. Nuk i trembem sepse s’ka luajtur asgjë!”,– thotë për “DurrësLajm” banori që ka “vrarë” i pari frikën për t’u rikthyer në godinën ku jetojnë rreth 50 familje.

Për këtë pallat 12 katësh, në lagjen nr.5, rruga “Kadri Pirro” ende nuk ka një përgjigje finale për fatin e godinës, që është anuar. Në akt ekspertizën e fundit, Instituti i Ndërtimit e ka klasifikuar me shkallë dëmi DS5, pra për shembje, por banorët janë rikthyer të jetojnë, sepse nuk mund të përballonin pagesën e qirasë.

“Nuk na dhanë bonusin prandaj u kthyem. Ne shkuam me qira, nuk na dhanë qiranë u kthyem prapë në shtëpinë tonë. Pallati jonë s’ka gjë”,– deklaron banori, që më shumë sesa godina e dëmtuar e tremb fakti se mund të mbetet pa shtëpi. Të shumtë janë pallatet e shembura në Durrës, të cilat nuk janë rindërtuar në po të njejtin vend dhe banorët kanë mbetur mes 4 rrugëve, pa banesë e pa lekët e bonusit.

Akt ekspertiza e fundit e bërë nga Instituti i Ndërtimit u kundërshtua nga vetë banorët e pallatot 12-katësh në rrugën “Kadri Pirro”, ndërkohë që bashkia na bën me dije se është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga Instituti i Ndërtimit, për një ri-ekspertizë të thelluar që do t’i bëhet godinës. Vetëm atëherë do mësohet fati i pallatit 12-katësh, i cili fillimisht u deklarua me shkallë dëmi DS3 dhe banorët kanë përfituar grantin e rindërtimit në vlerën 500 mijë lekë.

Prej 10 muajsh, 2500 familje në Durrës nuk marrin më bonus qiraje dhe në pamundësi ekonomike po rikthehen në pallatet që nuk plotësojnë standartet teknike për t’u konsideruar godina të sigurta.

Disa ditë më parë, “DurrësLajm” solli pamje filmike nga pallati nr.62, në lagjen nr.17, ku banorët janë rikthyer të banojnë pavarësisht se godina i përngjet pallateve të bombarduara në rajonet e përfshira nga konfliktet e armatosura.

Kreu i PD Durrës, Jonuz Myshketa, në një deklaratë për shtyp që mbajti javën e kaluar pranë pallatit të dëmtuar rëndë theksoi se godina rrezikon të kthehet në varrezë masive në rast të një tjetër lëkundje sizmike.

Ndërsa bashkia Durrës, në një reagim të saj bëri të ditur se riforcimi i kësaj godine do të kryhet me fondet e pushtetit vendor.

“Bashkia e Durrësit i ka ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë për riforcimin e këtij pallati. Për pallatin nr.62, në lagjen 17, rruga “Neki Libohova” fillimisht është hartuar projekti i detajuar dhe më pas është miratuar edhe fondi përkatës dhe tashmë do të hapet procedura për përcaktimin e firmës fituese që do të fillojë punën për riforcimin e këtij objekti.”,- shkruhej në reagimin e bashkisë.

M.B.