Apeli i bërë në media në fillim të marsit nga një gjysh për mbesën e tij të mitur, për të cilën pretendonte se ishte marrë nga punonjës të Shërbimit Social të bashkisë Durrës, në prezencë edhe të efektivëve të Policisë së Shtetit, nxorri në dritë historinë e trishtë të një të miture 3-vjeçare.  

Sara e vogël jetonte deri më 8 mars 2023 me nënën e saj Klementina Bushkashin (lindur në Burrel dhe banuese në Durrës) në një pallat të Entit të Banesave, në lagjen nr.17.

Apartamenti në katin e parë qëndroi i përmbytur për disa ditë me radhë në fillim të muajit mars, ndërkohë që nënë e bijë jetonin në një ambient me kushte higjeno-sanitare ekstreme.

“Shtëpia ishte e gjitha e përmbytur nga uji, çdo orendi dhe veshmbathje ishte e papërdorshme për shkak të lagështirës që ndodhej në banesë prej shumë kohësh…. E mitura gjendej me veshje të papërshtatshme për stinën, e zbathur, në mes të ujit, dridhej nga i ftohti, me buzën e nxirë dhe me një thikë, të cilën e kishte vendosur brenda në gojë”,- thuhet ndër të tjera në raportin e mbajtur për rastin në fjalë nga Grupit Teknik Ndërsektorial, që funksionon pranë drejtorisë së Shërbimit Social Durrës.  

Po sipas të njëjtit raport, punonjësit social vunë re gjatë kohës së qëndrimit në banesë se “znj. Klementina shfaqej tepër agresive, e paqëndrueshme gjatë bisedës, kërcënuese dhe fyese ndaj nesh. Kjo situatë na bën të mendojmë që nëna e të miturës mund të ketë probleme të shëndetit mendor ose mund të jetë përdoruese e substancave narkotike”.

Të ndodhur në këto kushte, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e së miturës, punonjësit social morën vendim për largimin e saj nga banesa dhe vendosjen e vogëlushes në “Qendrën për Shërbime Mbrojtëse Fuqizuese Emergjente për Fëmijët dhe Familjen” Durrës.

Konflikti mes nënës së vajzës dhe gjyshit

Halil dhe Klementina Bushkashi (babë e bijë) jetojnë në të njëjtin pallat të Entit të Banesave, pranë UK Durrës, por në apartamente të veçanta.

Prania e tyre në dy emisione të ndryshme televizive në harkun e një muaji (“Me zemër të hapur” dhe “Pa gjurmë”) tronditi opinionin publik, me akuzat e forta që Klementina Bushkashi bëri në adresë të të atit, të cilin e akuzoi se kishte tentuar të abuzonte me mbesën dhe se ishte ai që qëndronte pas marrjes së të miturës nga banesa, më datë 8 mars. Njëkohësisht ajo e akuzoi të atin për dhunë sistematike ndaj saj dhe vëllait, por edhe bashkëshortes së tij.

Policia e Durrësit nuk ka hapur procedim penal ndaj 75-vjeçarit Bushkashi, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga deklarata e bërë nga vajza e tij 33-vjeçare. I moshuari kërkoi live në emision se nëse provoheshin akuzat e ngritura nga vajza, policia të merrte masa ndaj tij.

Nga ana tjetër, Klementina vazhdon të mos banojë që prej datës 8 mars në apartamentin e saj, por pretendon se qëndron tek një shoqe e saj.

Referuar raportit të Shërbimit Social Durrës, 33-vjeçarja jetonte vetëm me të ardhurat e Ndihmës Ekonomike (nuk punonte), ndërkohë që “gjatë gjithë këtyre ditëve që nga largimi i vajzës nga shtëpia dhe në vazhdim znj. Klementina është paraqitur disa herë pranë ambienteve te DVP Durrës duke kërcënuar me tone të larta zëri, duke bërë veprime të papërshtatshme për institucionin”.

Vajza e saj e vetme është fryt i lidhjes që Klementina ka pasur rreth 4 vite më parë me një shtetas nga Peqini, B. Gjyra, me të cilin ka bashkëjetuar vetëm pak javë, pasi ai jetonte dhe punonte në Itali. Pas largimit të tij drejt vendit fqinjë, ajo ka jetuar edhe pak kohë në shtëpinë e prindërve të tij dhe më pas, kur ishte vetëm 3 muajshe shtatzënë, ata e kanë larguar, ndërsa dhe babai i fëmijës që ajo priste ka ndërprerë komunikimin me të.

E ndodhur në këto kushte, ajo është detyruar të kthehet pranë prindërve të saj, pavarësisht se pretendonte se dhunohej nga babai i saj.

Edhe pas lindjes së Sarës, shtetasi Gjyra nuk ka shfaqur interes për njohjen e atësisë së vajzës, ndërkohë që bllokonte gjithnjë komunikimin në rrjete sociale, që Klementina mundohej të vendoste me të (deklarata e saj dhënë në emisionin “Pa gjurmë”).   

Nga ana tjetër, avokatja Erisilda Shpata, që i ka ofruar ndihmë juridike falas Klementinës si rast i referuar nga Ministria e Drejtësisë, për të njohur atësinë e fëmijës së lindur jashtë martesës, deklaron se gjykata e ka njohur atësinë e vogëlushes vitin e kaluar, ndërkohë që në procesin gjyqësor nuk ka qenë asnjëherë i pranishëm babai i vajzës, por vetëm familjarë të tij.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, deri më tani babai i Sarës apo familja e tij nuk kanë shprehur aspak interes për t’u përkujdesur për vogëlushen, qoftë dhe duke kontribuuar me pensionin mujor.  

Jeta problematike e Klementinës

Marrëdhënia e Klementinës me dy prindërit e saj është konfliktuale që pas akuzave të ngritura prej saj në emision. Akuzat për dhunë në familje janë hedhur poshtë nga të dy prindërit e saj, Hane dhe Halil, ndërkohë që ata kritikojnë veprimet dhe deklaratat e saj.

Por situata konfliktuale Klementina nuk ka kaluar vetëm me prindërit e saj. Në dhjetor të vitit 2021, ajo ka rrezikuar të vritet nga bashkëjetuesi i saj, shtetasi Lulëzim Kurti, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas kishte një të shkuar kriminale, pasi rezultonte i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Në momentin e arrestimit, Kurti mbante me vete një armë të llojit pistoletë me krehër me 8 fishekë, me të cilën do të kryente krimin.

Ndërkohë, sipas raportit të Shërbimit Social Durrës, Klementinës i është kërkuar “kryerja e analizave për përdorimin e substancave narkotike dhe ekzaminimi tek mjeku psikiatër”.

Po sipas të njëjtit raport, Klementina deri më tani ka refuzuar të kryejë analizat e nevojshme, duke pretenduar se do t’i realizojë ato në laboratorë privatë.

Vendimi për vajzën 3-vjeçare

Kontaktet e papërshtatshme 33-vjeçarja vazhdon t’i ruajë me persona problematikë edhe pas tentativës për vrasje të dhjetorit 2021.

“Nga kontaktet me SPZ e zonës mësojmë se nëna e vajzës shoqërohet me persona të dyshimtë por gjithashtu ai shprehet se ajo mund të jetë përdoruese e substancave narkotike”,- thuhet në raport dhe për këtë arsye Grupit Teknik Ndërsektorial, në mbledhjen e datës 17.03.2023 diskutoi për sistemimin afatgjatë të të miturës dhe marrjen e masës mbrojtëse “Vendosje në Përkujdesje Alternative” në institucionin e “Shtëpisë së Foshnjës” Durrës.

“Aktualisht jemi në pritje të seancës së parë gjyqësore për konfirmimin e Masës Mbrojtëse dhe vendosjen në Kujdestari Alternative pranë” Shtëpisë së Foshnjës” Durrës”,– bën të ditur Shërbimi Social Durrës.

Pavarësisht dëshirës së Klementina Bushkashit për të rimarrë vajzën, Shërbimi Social është i mendimit se në kushtet aktuale ajo nuk përmbush kriteret për mirërritjen e Sarës 3-vjeçare.

Qëndrimi i të miturës në ambientet e Shtëpisë së Foshnjes në Durrës duket tani për tani strehimi më i mirë për vogëlushen, pasi gjyshërit e saj Hane dhe Halil e kanë të pamundur të përkujdesen edhe për të. Ata janë duke rritur dy fëmijët e mitur të djalit të tyre (vëllait të Klementinës), i cili ndodhet në burg me akuzën “Dhunë në familje”, ndërsa e ëma e tyre i ka braktisur.

“Babai i fëmijëve është i diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor”, thuhet në raportin e datës 28.09.2022, të mbledhjes së Grupit Teknik Ndërsektorial.

“Kushtet social ekonomike të familjes janë të vështira, të ardhurat sigurohen nga puna e gjyshes dhe nga pagesa e KMCAP së babait”,- shkruhet më tej në raport.

M.B.