Netë të nxehta vere jo vetëm prej temperaturave të larta, por edhe prej eventeve artistiko – kulturore të programuara për t’u zhvilluar përgjatë sezonit turistik.

Përveç kryeqyteti shqiptar i turizmit, Durrësi synon të kthehet edhe në kryeqytetin shqiptar të argëtimit.

Krahas larmishmërisë së netëve me muzikë live apo dj në klubet dhe diskot verore përgjatë vijës bregdetare, të organizuara nga privatët, bashkia këto muaj ka hartuar një kalendar të ngjeshur me koncerte, panaire, etj, për t’i ofruar kujtdo që do të vizitojë Durrësin këto muaj maksimumin e argëtimit.

“Ky sezon turistik veror pritet të jetë shumë premtues, shumë I suksesshëm. Shumë i pasur me aktivitete kulturore dhe sportive ggjithashtu. Në fillim të muajit korrik kemi “Vala fest” që vjen për herë të tretë në Durrës dhe në një nga netët do të sjellë në qytet këngëtarin e mirënjohur Alban Skënderaj dhe shhumë emra të tjerë të njohur të sskenës muzikore. Po kështu kemi “Durrës summer fest”, që është një organizim që përfshin disa evente, që do të shtrihen përgjatë gjithë sezonit turistik veror. Do të kemi edhe edicionin e tretë të panairit “Taverna e Adriatikut” . ka një interes shumë të lartë nga bizneset tipike lokale.”,- bên me dije për “DurrësLajm” përfaqësuesja e Drejtorisë së Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.

Në një qytet 3000-vjeçar, trashëgimia kulturore është një nga asetet më të çmuara. Për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë të huajve, të apasionuar pas turizmit kulturor, një vëmendje e shtuar e institucioneve ka qenë edhe në drejtim të sinjalistikës. Rregullimi i asaj ekzistuese, por edhe shtimi i tabelave të reja, të cilat orientojnë turistët drejt monumenteve dhe shtigjeve kulturore më të rëndësishme në qytet është në fokusin e punës së institucioneve.

Kryeqyteti shqiptar i turizmit ka nisur të kthehet në një destinacion gjithëvjetor turistik dhe dëshmi e kësaj janë edhe strukturat e reja hoteliere që vijojnë të ngrihen për të përballuar fluksin e vizitorëve.

M.B.