Nga Klejdi Laja

Kriza që ka mbërthyer vendin po prek masivisht edhe të rinjtë, veçanërisht studentët dhe familjet e tyre që po përballen me një situatë tejet të vështirë ekonomiko-financiare, ndërsa Karta e Studentit, një nga mjetet më të dobishme në mbështetje të studentëve, është kthyer në një mollë të ndaluar për studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në këto kohë krizash, mungesa e kartës së studentit kthehet edhe më shumë në një problematikë të mprehtë për të gjithë studentët të cilët po përballen me pamundësinë për të përballuar rritjen e shpejtë të çmimeve të produkteve bazë në treg, vështirësi të theksuara në transportin urban etj. Kjo kartë tashmë është e aplikuar nga Bashkia e Tiranës dhe si e tillë studentët e Tiranës e kanë në përdorim, ndonëse përfitimet prej saj janë ende larg mbulimit të nevojave të studentëve. Gjithsesi përmes saj, studentët e kryeqytetit përfitojnë çmime të reduktuara për produkte dhe shërbime të nevojshme për ta nga 10-30 % ulje nga subjektet me të cilat janë realizuar marrëveshjet për kartëmbajtësit.

Ndërkohë kërkesa e hershme dhe premtimi i vazhdueshëm nga ana e autoriteteve të arsimit të lartë dhe pushtetit vendor për pajisjen e studentëve të Durrësit me kartën e studentit është ende i pambajtur.

Në fillim të vitit akademik 2019-2020, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini deklaroi nga universiteti i Durrësit nisjen e procesit të pajisjes me kartë të studentëve, si një premtim i mbajtur nga ana e Ministrisë dhe i realizuar në bashkëpunim me Postën Shqiptare. Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, shpërndarja e kartave të para të studentit u bë në ambjentet e universitetit “Aleksandër Moisiu”, ndërsa ministrja Shahini u shpreh se “gjersa gjendja financiare e studentëve nuk është e mirë, çdo ulje çmimi është një ndihmesë për ta dhe familjet e tyre”. Ajo tha se së shpejti do të finalizohej dhe një marrëveshje me bashkinë e Durrësit për shërbimet specifike që kjo bashki mund t’u vërë në përdorim të studentëve duke përfituar ulje çmimi. Po bëhen thuajse tre vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Studentët janë pa kartë studentore. UAMD nuk është organizuar për t’ua ofruar vetë këtë mjet studentëve të saj, ndërsa takimet për kartën vijojnë. Marrëveshjet e premtuara me biznesin kanë munguar, ndërsa studentët nuk kanë arritur të marrin asnjë nga shërbimet që meritojnë.

Si student dhe i ri aktivist gjykoj se aplikimi i kësaj karte është një domosdoshmëri pasi sjell përfitime të drejtpërdrejta në financat e vogla të studentëve përmes uljeve në produkte dhe shërbime që përfitohen prej saj, ndërsa u jep gjithashtu mundësi studentëve që të ndjekin dhe aktivitetet artistiko-kulturore aq të nevojshme për rininë. Modeli i kartës së studentit liston çmime tepër të reduktuara si tarifa për transportin qytetas, ulje në biletat e muzeve historikë kombëtare, galeritë e arteve, teatrot dhe kinematë, shërbime të tjera të nevojshme, si dhe në një mori blerjesh, duke nisur nga produktet ushqimore, te veshjet dhe deri në pajisjet elektronike, të gjitha këto kaq të nevojshme për jetën studentore të një të riu që kur studion edhe jashtë vendbanimit të tij përballet dhe me qiratë e larta të banesave, në mungesë të konvikteve në UAMD.

Në mungesë të një reagimi nga autoritetet vendore të bashkisë dhe universitetit, vetë studentët duhet të angazhohen që të vejnë në lëvizje autoritetet për të bërë realitet pajisjen me këtë kartë. Futja e saj në qarkullim do ta bënte çdo student të ndjehej i mbështetur disi në përballimin e nevojave të përditshme dhe të ndjehej pjesë e një komuniteti rinor të vlerësuar si në të gjithë botën e qytetëruar, në Bashkimin Europian ku synojmë të aderojmë. Karta do të mundësonte një lehtësim të barrës financiare për studentët dhe familjet e tyre. Ndaj Bashkia e Durrësit duhet të nisë konkretisht punën me subjektet private për të zgjidhur këtë problematikë dhe ofruar kartën e studentit që mundëson ulje reale në produkte dhe shërbime. Pajisja me këtë kartë është një detyrim që shoqëria, pushteti vendor e qendror i ka studentëve jo vetëm në Durrës, po dhe kudo, në çdo qytet universitar.