Ditën e djeshme u mbyll provimi i shtetit për kandidatët e farmacisë. Sipas të dhënave paraprake nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, kalueshmëria për këtë kategori ka qenë në nivelin 65 për qind, ndërsa nota mesatare ka qenë mbi 70 pikë. Pra, nga 370 farmacistë që ju nënshtruan këtij provimi, kanë mbetur 130, ndërsa 240 kanë kaluar. Por ajo që të bie më shumë në sy në këtë testim është se farmacistët
që i nënshtrohen për herë të dytë provimit të shtetit kanë dalë sërish shumë dobët. Kjo gjë është bërë e ditur nga drejtori i provimit të shtetit, Niko Terezi. “Provimi i shtetit për farmacistët, sipas të dhënave të deritanishme, rezulton se në total kalueshmëria ka qenë 65%. Nota mesatare ka qenë mbi 70 pikë. Por ka diçka që bie në sy, se dy grupet që kanë dhënë provimin në ditën e parë rezultatet kanë qenë shumë të kënaqshme, me një kalueshmëri mbi 85% dhe me rezultate të larta, ku ka patur shumë kandidatë me 100 pikë, ndërsa ditën e premte, që kanë dhënë provimin përsëritësit, rezultati ka qenë shumë i dobët, me një kalueshmëri 28%”, – ka sqaruar Terezi.
Mësuesia
Ditën e hënë do t’i nënshtrohen për herë të parë provimit të shtetit mësuesit e rinj. Në datë 17 dhjetor, ora 10:00 do të zhvillohet provimi për 53 kandidatë të gjuhës shqipe. Në lidhje me mësuesinë, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se, që të njihet masteri profesional, i bërë pas janarit 2011 në mësuesi, kandidatët duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit. “Të gjithë ata mësues që janë aktualisht në punë dhe kanë kryer një master të pakushtëzuar nga vendi i punës, pra një master për kualifikimin e tyre profesional, me dëshirën e tyre, nuk u njihet masteri nëse nuk kalojnë në provimin e shtetit. Pra, ai master është i pavlefshëm. Duhet ta mbrojnë dhe të kalojnë procedurat deri në fund për të kaluar në provimin e shtetit”, – thotë Dorina Rapti, drejtoreshë e Arsimit Profesional në MASH.