Policia ka arrestuar personin që jepte me qira Jet Skitë në zonën e Plazhit në Durrës, lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi një ditë më parë ku u mbyt një turist i huaj dhe një vajzë ndodhet në rrezik për jetën (LEXO MË SHUMË KËTU).
Mësohet se zotëruesi i motorëve të ujit, shtetasi L.Xh., 56 vjeç u arrestua për shkak të mungeses së plotë të dokumentacionit për ushtrimin e aktivitetit dhe sipas policisë, ai nuk iu ka siguruar veshjet e sigurisë personave që kanë marrë mjetet e ujit.
Shtetasit në fjalë kanë qenë një grup kolegësh të cilët kishin ardhur për pushime në Shqipëri dhe pasi kanë marrë motorët e ujit, në thellësi por jo në distancë të madhe nga bregu i detit, kanë kryer manovra shpejtësie dhe për pasojë kanë rënë nga JetSki. Skena është dalluar prej bregut dhe kanë qenë pushuesit ata që kanë telefonuar policinë.
Dyshimet për vdekje nga hipotermia kane rënë pasi shtetasit në fjalë kanë qëndruar pak minuta në ujë.
Ende nuk është kryer ekspertiza por dyshimet janë se shtetasi 34-vjeçar nga Anglia me iniciale S.O. ka humbur jetën pasi është mbytur. Nuk përjashtohet as mundësia e arrestit kardiak nga lodhja gjatë tentativës për ta shpëtuar nga mbytja. Ndërsa shtetasja tjetër, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu banuese në Angli, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shtruar menjëherë në spital.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 56 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë shkëmbit i Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.