Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Dua të jemi i sinqertë me lexuesin. E përshëndes me shumë respekt Nikolla Jorgonin. Nuk e njihja në zemër të jetës, por në atë që quhet aparance e njeriut. Jam rritur me famën e tij si mjek dhe jam edukuar me famën e tij si njeri. Jo për ndonjë gjë, po nuk i kisha “thënë” lapsit bëhu gati, për ta përfshirë Nikolla Jorgonin në iventarin tim. Foto me të kisha dëshirë ta realizoja. Kisha të drejtë kur e mendoja këtë akt si kujtim, si respekt, si shenjë mirënjohje të kahershme ndaj këtij Jorgoni të spikatur dhe të fisëm.

Dhe sebepi më erdhi. Teksa ecja me 2 janar 2023 në një nga rrugët e Durrësit, ndesh portretin prej të urtësh të Nikollës së tretë të Jorgonëve. Nuk e dija, por e zbulova se ecja mbi biçikletë i Jorgonit, ishte aq kohë sa edhe vetë ushtrimi i profesionit. Bëhen diku tek 67 vitet. Dhe më pas, kur gërmova në atë që quhet jeta e tij, rashë në përfundimin se dyrrotakëshi i Nikolla Jorgonit, mbetej mjeti i urgjencës mjekësore. Janë kohë të vështira të mjekësisë, me mangësi materiale, ku një aparat tensioni lëvizte nuk e dimë në sa e sa duar. Ishte koha kur nuk kishte mjete dhe sektori i urgjencës nuk ishte krijuar. Nejse. Këto janë gjëra të tjera për t’u treguar.

-Doktor Jorgoni: ndalu! Dua ta filloj vitin, me foto kujtim nga ju. E kisha vendosur në mëndje prej kohësh, por ja që s’na ishtë bërë mbarë. Të dua fort, pasi shembulli yt lexohet nga durrsakët! Nuk gjëndet një i dytë si ty. Zbrit nga “kali” doktor Jorgoni!

Dhe njeriu i artë Jorgoni ynë doktor, me buzëqeshjen që tregonte gjithçka, pozon së bashku me mikun e tij gazetar dhe regjistrojnë foton dhe kujtimin e parë për vitin 2023.
-Gëzime dhe mbarësi doktor! Natyrisht të falenderoj, që i dhe komoditet propozimit tim!
Mendova ta publikoja këtë foto, me shënim të thjeshtë. Por bëra mirë që vendosa të mos ta “djeg” portretin e tij, djalin e Menellës dhe Ksanthipit, nipit të Perikli Jorgonit, por edhe i të famshmit doktor Jorgji Jorgonit, babait të krijuesit të mënçur, poetit dhe përkthyesit Perikli Jorgonit. Me pak fjalë t’i përkushtohesha gjërësisht. Po e çfaq atë që vendosa.
Nikolla Menella Jorgoni! Është mbuluar plotësisht me pëlhurën tërheqëse të thjeshtësisë. Është në gen kjo. Kategoria e doktor Nikolla Jorgonit, është ideali i palëkundur ndaj betimit të Hipokratit. Vjen nga shtresë intelektuale, ku sonda e kulturës nxjerr nga pusi i thellë i qytetarisë, vetëm lëngun e mirësisë dhe të asaj që quhet dinjiteti dhe personaliteti i njeriut.

Tentoj të depërtoj thellë në psikologjinë e tij. Është maturia dhe pjekuria e doktorit që jetën e ka ndarë me pacientin, apo njeriun në nevojë. Kam qendruar me Nikollën e tretë të Jorgonëve dhe jam ndeshur me rrugëtimin e tij, të një jete mbushur me ngarkesë shpirtërore dhe e tentuar të griset nga komunizmi i kohës. Nuk qahet, por dhimbjen e shpreh. Ia lexoj kalvarin e babait Menella, fatkeqësia e të cilit qendronte vetëm në dijet dhe kulturën.
I nipi i tregtarit të njohur Perikli Jorgoni, që u nda nga jeta m’u pas takimit me Princ Vidin të ardhur nga Gjermania dhe djali i Menellës, që mbaroi të mesmen në Zosimea të Janinës dhe të lartën për ekonomik në Leçe të Italisë dhe i Ksanthipit, mbetet kryelartë me origjinën. Po aq dhe i trishtuar me nëpërkëmbjen që i bënë të jatit, intelektual i thekur, njohës i gjashtë ghuhëve të huaja, t’ia burgosnin, ta vendosnin në punë cfilitëse në Nish Tulla, ndërmarrjen e rrugëve, në Nish Goma duke ia grisur jetën si formatin e një letre.

Absolutisht i “fshehur” nga ky dëmtim i biografisë, por i keqardhur deri në tronditje ku një djalosh i ri i duhej të ëndërronte për të ardhmen. Ksanthipi i lutej Zotit, për fëmijët, pasi edhe kultura e saj ishte e anuar nga besimi.
Brezi ynë e kujton nënë Ksanthipin, këtë zonjë që e ruajti krenarinë e prejardhjes, teksa shërbente si arkëtare në farmacinë nr.1, aq të njohur në Durrës. Thërritej shkurt: Tipi. Bashkshortët Jorgon, u shtuan me katër fëmijë Nikollën, Petraqin, Pavlin dhe Robertën. Me vështirësi u shkolluan që të katër. Petraqi veteriner, Pali inxhinjer dhe Nikolla mjek, duke e çuar në tetë numurin e bluzave të bardha në dinastinë e Jorgonëve.

Jorgonët janë fis tepër i njohur në Durrës. Është fis që durrsakët mburren dhe me të drejtë, i trajtojnë ato si pasuri e vyer qytetare. Frymëzim do të bëhej për Nikollën, xhaxhai i tij, i mirnjohuri, krijuesi i pediatrisë shqiptare, doktori me mjekër Jorgji Jorgoni. Dhe djali i Jorgjit, Perikliu, që trashëgonte emrin e gjyshit, u bë i famshëm për arritjen e profilit të avancuar të kulturës shqiptare dhe u nda nga jeta tragjikisht. Ky Jorgji e mbajti afër nipin, Nikollën e tretë të Jorgonëve, duke e injektuar me dashuri të pakufishme për tokën e të parëve, për njerëzit në hall dhe në nevojë, për t’iu përkushtuar atyre me sakrifica jetësore.
Jorgoni i bisedës tonë, ndryshon pamje kur kujton fjalët e fundit të doktor Jorgjit, mik i ngushtë i Mitrush Kutelit,që kanë forcën e amanetit. Megjithëse ishte në ditët e fundit në atë shkurt të vitit 1968, i jep forcë vetes dhe në shtratin e lëngimit, çfaqet si shqiponjë që trondit folenë e saj. Dhe ia vendos në mëndje me pak fjalë nipit Nikollë, filozofinë jetësore të tij dhe të profesionit.

“Zoti të jep jetën, por mjeku e zgjat atë. Edhe në qoftëse ke humbur pasurinë, është dija që ke fituar, që të bën të pasur. Ki kujdes nga paraja, ajo nuk është gjithçka. Njeriu nderohet nga të mirat që bën, e jo nga leku që ka. Ja kjo është jeta, kape atë mos e lësho, se ajo është e shkurtër, kur mendon se ke arritur diçka aty ajo mbaron. Dëgjo bir, sa më tepër të kujdesesh për të sëmurin, aq me afër zotit je. Nderi mbetet gjithmonë më i madh se shpërblimi.
Flori fjalë, nga floriri njeri Jorgji Jorgoni. Mbaroi gjimnazin në Athinë dhe të lartën në Grac të Austrisë. Emocionues takimi me të madhin aktor shqiptar Aleksandër Moisiu. “Mbajeni me nder mbiemrin e fisit të Jorgonëve dhe trashëgojeniu atë në breza”, kujton tjetër amanet të xhaxhait Nikolla Jorgoni.

Nikolla i tretë, na kishte hedhur në prehërin e kulturës së tij. Guximi që më çfaqet në këtë rast, ma do mëndja mund ta gëzojë doktorin e këtij shkrimi, kur reagoj me gjuhën e tij.
-Po Jorgji Jorgoni! Nikolla në këtë moshë 85 vjeçare, e ka përligjur traditën e pasur dhe të pastër të fisit të Jorgonëve, duke i dhënë më shumë emër, më shumë famë, më shumë bukuri e muzikalitet njerëzor. Amanetin që “nuk e tret dheu”, Nikolla Jorgoni e ka mbajtur dhe çuar më tej. Fli i qetë në përjetësinë tënde, krijuesi i pediatrisë shqiptare Jorgji Jorgoni.

E dashuroi mjekësinë, që ishte geni i Jorgonëve. Mbaroi shkollën e mesme mjekësore në Tiranë dhe emërohet kryeinfermier në spitalin civil të Durrësit. Ishte viti 1956. Vështirësitë gati sa nuk e “mbytën” Jorgonin, i hapave të para të mjekësisë. Edhe se ishte infermier, emri nisi t’i lakohej. Vite të vështira, ku mjekësia ndeshej me sfida, me mungesa materialesh, me mungesë kuadrosh, me mungesë pavionesh e kushte cunguese trajtimesh spitalore.
Kërkonte të kapte më të mirën dhe t’i jeptë udhë ëndërrës për t’u bërë mjek. Cilësitë e Nikolla Jorgonit, ishin të prera për shërbim zotnish të sëmurëve, për të qenë kurdoherë në sulmin e jetës, të asaj jete që vështirësitë nuk mund të numuroheshin. Fitoi të drejtën e studimit për në fakultetin e mjekësisë në universitetin e Tiranës dhe diplomohet. Kishte hyrë viti 1965.

Dhe Nikolla gjithashtu, kishte hyrë thellë në artin e pafund të shkencës më humane, atë të mjekësisë. Dhe gjeti në Durrës emra kolosësh si Agolli, Fica, Treska, Dhimitri, Andruçi, Anagnosti, Moisiu, Vokopola etj. Fat që mësoi prej tyre profesionin e mjekut, por edhe kryeartin e gjithkohëshëm: atë të shërbimit ndaj njerëzve.
Mendonte, krijonte, përshtatej, sakrifikonte, sulmonte më të mirën, kërkonte më të vështirën, bashkëvepronte dhe mirkuptohej me kolegët. E dashuron punën, por mbi të gjitha dashuronte shërbimin dhe përkushtimin ndaj të sëmurëve. E mira e Nikolla Jorgonit, qendronte në kërkesat për zanatin. Sapo “pushtonte” një kala të jetës dhe të punës, organizonte inkursione të reja. Viti 1971 e gjeti Nikollën tonë në specializimin për endokrinologji, për sëmundjen e tiroideve dhe diabetit.

Punon mjek në lagje, në ndërmarrje, në hekurrrudhën Durrës Rrogozhinë, në Lushnje, e kudo, kudo. Nuk përtonte. Ishte i pari që ndjeu nevojën e organizimit të shërbimit të urgjencës. Sa vështirësi ka patur këtu. Nëse Jorgji Jorgoni është krijuesi i pediatrisë shqiptare, nipi i tij Nikolla, është themeluesi i repartit të urgjencës në Durrës. U vendos në krye të saj. Nuk kërkonte privilegje. E gjente kohën. E gjente mjetin për t’iu përgjigjur të sëmurëve. Dhe si zgalem dukej, teksa fluturonte me biçikletë për të kryer shërbimet që i kërkoheshin.

Urgjenca e Durrësit, u drejtua nga ustai i mjekësisë Nikolla Jorgoni në periudhën 1978-1990. Por kolegu i tij Ferid Domi, po më tregonte se Nikolla Jorgoni është edhe nismëtari i vendosjes së mjekësisë sportive. Dhe më kujtohet ky Jorgon kur vraponte në parketin e pallatit të sportit, duke i shërbyer sportistëve. Vrap në urgjencë, e vrap në shtëpi të durrsakëve. Herë në këmbë, e herë me biçikletë, me buzëqeshjen që ishte salduar në fytyrën e tij fisnike, ky Nikollë i Jorgonëve ka fituar respektin dhe dashurinë e plotë dhe dua ta personalizoj këtu, të të gjithë durrsakëve.

Doktor Jorgoni është kthyer në idhull, në llojin e rrallë të përkushtimit dhe sakrifificës. Në rrugë, në klinikë e kudo, e shikon të ndalet dhe të këshillojë nevojtarët. Të jep siguri, të fal bekim, të dhuron optimizëm ky Nikollë i tretë i Jorgonëve. 85 vjeç. 67 vite “pasagjer” në biçikletën e tij. Pa kufi jetësor në shërbimin ndaj të sëmurëve. Nga viti 2003 e deri tani kur ndodhemi në 2023-shin, ky Nikollë është në punë, viziton, mjekon, shërben. Është në forcë, tek shoqata amerikane mjekësore evangjeliste FAME. Kryen vizita gratis për besimtarët.

Çifti Nikolla dhe Gjinovefa Jorgoni, kanë një djalë dhe një vajzë. Kanë gjithashtu tre fëmijë të trashigimtarëve të tyre. Ndjehen të kënaqur për ta. Nikolla u bë poet kur lindi mbesa. Qeshim me të madhe. Pak gjëra bëri në jetë ky Nikollë simpatik dhe krenar i Jorgonëve, por i duhej edhe poezia.

Dhe unë, nuk di s’u përmbajta,
Drejt te Lanushi i lumtur vajta.
Ndihesha ndryshe, nuk di se qysh,
U ripërtëriva me emrin gjysh.

Dhe nëse vendos të botojë, i bëhen gati dy vëllime me poezi. Bibiloteka e pasur, puna shkencore, ditaret e jetës, e kanë paisur me kulturën e duhur, duke i dhënë kenarinë e fisit të njohur. Mbetet i brengosur, ku brenda pak muajve ndahen nga jeta dy vëllezërit aq të shtrenjtë: Petraqi dhe Pavli. Basketbollistë dhe intelektualë të njohur.
“Mjeku i ri fillon jetën profesionale, me 20 barna për çdo sëmundje. Mjeku i vjetër e përfundon atë me një bar për 20 sëmundje.”

Me këtë postulat të njohur mjekësor, e mbyll këtu profilin dedikuar emrit të njohur të mjekësisë durrsake Nikolla Jorgonit.

Pse e quajta, Nikolla i tretë i Jorgonëver! Xhaxhai quhet Nikolla. Dhe Nikolla ka lënë pas trashigimtarë me këtë emër. Janë këto Shën Nikolla, që Durrësi dhe durrsakët i kanë dhënë bekimin e tyre.
Mbarësi dhe jetë, Nikolla i tretë i Jorgonëve!

Bujar Qesja
Durrës: 10 janar 2023