Ka nisur punën ekspedita e radhës e Institutit të Arkeologjisë, së bashku me universitetin e Chieti-Pescara-s, në amfiteatrin e Durrësit.

Arkeologet Elvana Metalla nga Instituti i Arkeologjisë dhe homologia e saj italiane Sonia Antonelli, si dhe studentë shqiptarë dhe italianë kanë nisur gërmimet në pjesën jugore të monumentit më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar.

Ekspedita arkeologjike do të vazhdojë përgjatë një muaji gërmimet, ndërkohë që në ditët e para të muajit nëntor pritet të bëhen publike rezultatet e tyre.

Në ndryshim nga viti i kaluar, kur ekspedita u zhvillua nën temperaturat përvëluese të muajit korrik, këtë herë grupi i arkeologëve punon në kushte më optimale klimaterike.

Ekspedita arkeologjike italo-shqiptare ka qenë e përvitshme në amfiteatër, me përjashtim të vitit 2020, kur, për shkak të pandemisë Covid-19, grupi i arkeologëve nga Italia nuk erdhi në Durrës.

Instituti i Arkeologjisë, së bashku me universitetin e Chieti-Pescara-s, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, organizon ekspedita arkeologjike që prej vitit 2004, të cilat kanë për qëllim të nxjerrin në dritë nga nënshtresat e amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II e.s. të tjera dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit.

Ndër vite, ekspeditat arkeologjike kanë zbuluar faza të rëndësishme post-antike dhe struktura të sitit të rëndësishëm arkeologjik.

M.B.