Censi i popullsisë dhe banesave nisi ditën e sotme në të gjithë Prefekturën Durrës.

Në zyrën qendrore të tij, të vendosur pranë Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, kishte paraditen e sotme shumë lëvizje.

Janë rreth 531 anketues në të gjithë prefekturën, që nisur nga dita e sotme kanë nisur punën në terren për të mbledhur të dhënat e deajuara derë më derë.

Në qytetin e Durrësit do të operojnë gjithsej 280 anketues, që do të shkojnë pranë çdo familjeje për të plotësuar formularin me informacion të detajuar, i cili duhet të plotësohet me korrektësi. Pyetësorët që do të plotësohen janë me tetë module dhe 100 pyetje.

Rustem Ndroqi, përgjegjësi i Censit për Prefekturën Durrës, shpjegon për “DurrësLajm” të gjithë dinamikën e procesit dhe shpreh bindjen se pavarësisht ndonjë problematike të vogël që mund të shfaqet në terren procesi pritet të vijojë normalisht dhe të përmbyllet brenda datës 3 nëntor.

Procesi i grumbullimit të dhënave zgjat 6 javë. Për herë të parë të dhënat do të grumbullohen në mënyrë digjitale, çka do të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e përpunimit të tyre. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera.

Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë. “Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur.

Po ndërkohë, komunitetet fetare në vendin tonë kanë bërë apel që besimtarët të deklarojnë përkatësinë fetare.  

Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 7000 persona do të dalin në terren për të grumbulluar të dhëna të detajuara derë më derë.

M.B.