Bashkia e Kukësit ka ndërmarrë një aksion për pastrimin e sipërfaqes së liqenit të Fierzës, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e zonës. Në terren është angazhuar një anije pastruese që do të mbledhë mbeturinat plastike dhe ndotës të tjerë që rrezikojnë ekosistemin e këtij liqeni të rëndësishëm.
Ky pastrim vjen si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur pasurinë natyrore dhe biodiversitetin që karakterizon Fierzen, një ndër zonat më të bukura të veriut të Shqipërisë. Sipas Bashkisë Kukës, pastrimi do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së ujit dhe në mbrojtjen e florës dhe faunës përreth.
“Pastrimi i liqenit të Fierzës është një hap konkret në drejtim të krijimit të një të ardhmeje të qëndrueshme,” theksojnë përfaqësues të bashkisë, duke shtuar se kjo nismë do të ndihmojë gjithashtu në krijimin e një mjedisi më të pastër e të sigurt për komunitetin dhe vizitorët.