Instalacioni “Season to change” u vendos sot në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës në kuadër të projektit “Këpucët e kuqe”, iniciuar në Shqipëri dy vite më parë nga regjisorja e njohur Driada Dervishi.

Gjatë aktivitetit të sotëm, u vlerësuan disa nga studentet e Fakultetit të Edukimit, që gjatë këtyre dy viteve janë bërë pjesë e këtij projekti në mënyrë vullnetare.

Gjatë ceremonisë së organizuar në UAMD u vlerësuan me çertifikata studentet Dajana Kura, Urani Çobo, Brixhilda Vorfi dhe Kysmete Gaxha, ndërkohë që me çertifikatë mirënjohjeje u vlerësua edhe departamenti i psikologjisë dhe shefja e tij Blerina Reçi, për gjithë angazhimin e ndërmarrë në këto muaj.

Në kuadër të bashkëpunimit për projektin, për dy studentet Franka Kalaja (dega Psikologji) dhe Xheni Piroli (dega Arsim fillor), shoqata “BashArt” akordoi dy bursa studimi.

Nëpërmjet angazhimit në shoqëri, edukimit të tyre dhe gjithëpërfshirjes në fusha të ndryshme të jetës, gratë bëhen më të ndërgjegjësuara dhe të pavarura duke mos u bërë viktima, prandaj dhe ndalesa në universitetin e Durrësit ka një simbolikë të veçantë.

Artisti Ivo Moja, autor i instalacionit “Season to change”, rrëfeu para të pranishmëve një histori personale duke përcjellë mesazhin e fortë se gratë dhe vajzat nuk janë mall dhe falenderoi nënën e tij për njeriun që është sot.

Kur mësova për tradhtinë e ish-të dashurës, ishin vetë femrat që më thanë nuk e rrahe…”,- tha ndër të tjera Moja.

Instalacioni “Këpucë të kuqe” u vendos për herë të parë në Durrës më 8 mars 2021, në shkallaren pranë galerisë ‘Nikolet Vasia”, duke tërhequr vëmendjen e mediave shqiptare, por edhe atyre të huaja.

“Këpucët e kuqe” erdhi në Shqipëri si një fushatë ndërgjegjësuese për dhunën në familje, sidomos ndaj grave dhe vajzave që shpesh mbeten viktima.

M.B.