Piktorja Inxhiriana Roli nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë.

Dhjetëra familjarë, miq dhe kolegë artistë e përcollën sot në banesën e fundit në varrezën e Kavajës.

Inxhiriana punoi për vite me radhë si modeliste në fabrikën e qelqit, në qytetin e saj, ndërsa e ndoqi pa ndërprerje pasionin e arteve figurative.

Katër herë e paraqiti krijimtarinë e saj në tablotë e po aq ekspozitave personale, ndërsa mori pjesë në tetë ekspozita kolektive së bashku me piktorë të tjerë jo vetëm nga Kavaja.

Veprat e saj fituan veçanërisht admirimin e grave dhe vajzave për temat e trajtuara.

Inxhiriana ka regjistruar në arkivën e saj artistike 32 libra, të cilët mbajnë firmën e ilustrimeve të saj.

Gati gjysma e tyre janë bashkëpunime në botimet e bashkëshortit Nazmi Roli, shkrimtar dhe poet mjaft prodhimtar.

Inxhiriana Roli përgatitej të hapte një ekspozitë në Durrës, kur sëmundja ia rëndoi jetën.

Ajo la pas edhe tre fëmijë, të cilët njëlloj si bashkëqytetarët kavajas, do ta nderojnë përjetësisht kujtimin e nënës së tyre artiste.

G. K.