*Falënderimi me zemër i Miri Hotit

Nga BUJAR QESJA

Mëngjesi i sotëm, i 26 majit 2022, erdhi me një surprizë. Çifti i njohur Hoti, Jeta dhe Miri trokitën në derën time natyrale.

-Erdhëm të pimë një kafe, për të ndarë së bashku emocionet që na dhatë për urimin e 80-të vjetorit të lindjes së Mirit. Nuk ka ngelur njeri pa na uruar, brenda dhe jashtë Durrësit, brenda dhe jashtë Atdheut. U bëtë ju sebep, që e publikuat këtë gëzim të familjes tonë.

-Prap edhe këtu të mirë jeni, ia ktheva. Ardhja e juaj, më ka dhënë një kënaqësi të veçantë, si shpresë e rrezatimit të një kulture dhe ndjenjë miqësore, që sot po lihen pas dore.

Një kafe e mëngjesit me Miri dhe Jeta Hotin, ishte një shans më shumë për të thyer përditshmërinë rutinore tonën. Kënaqësi, kujtime, vlerësime dhe respekte për të gjallë dhe të larguar nga jeta. Mirënjohje! Sa shumë në këtë mëngjes!

-I duam njerëzit, kemi punuar tërë jetën për to! Dhe në këtë moshë e ndjejmë shumë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. Na e bën një nder Bujar! Në emrin tonë thuaju njerëzve, se i falenderojmë pa masë për fjalët aq të ngrohta, aq të sinqerta, aq inkurajuese dhe frymëzuese që më dhanë me rastin e 80-të vjetorit të lindjes. Thuaj aty, se Miri Hoti nuk i ka harruar dhe s’do ti harrojë sa të ketë jetë. Falenderoi sa të jetë e mundur!

Një kafe dhe miqësi e forcuar. Doktor Miri qendronte mirë me shëndet dhe Zoti ishte me të edhe kur një kovid rebel ia tronditi shtatin. E lëkundi, por nuk e rrëzoi të madhin tonë dhe në këtë mëngjes të 26 majit 2022, e uli mirë e bukur në tavolinën e një miku, që ia çmon miqësinë si ajri që thith.

Një kafe dhe shumë humor. Kafeja turke me pak alkol të fortë, e lezetoi tavolinën tonë dhe i dha freskinë e duhur. E doktor Miri, në një regjim të rreptë e dietë të kontrolluar, nuk mundi të kapërdijë qoftë edhe një gllënkë nga kjo dollinjë 24 gradëshe. Po ajo që s’kishte harruar të “kapërdinte” Miri Hoti dhe bashkëshortja e tij e mrekullueshme Jeta, ishte miqësia dhe mirënjohja ndaj njerëzve.

Nuk është rastësi që urimi për Miri Hotin, vetëm në portalin publik Durrëslajm.al është shoqëruar me mbi 2000 klikime dhe 900 komente, të cilat ende vazhdojnë të shtohen në numur. Janë me dhjetëra adresash forumesh në fb, që rregjistrojnë mijra urime dhe komente, të cilat falenderojnë punën e jashtëzakonshme të doktorit të mrekullive Miri Hotit.

Gati të gjithë përmëndim raste të jetës së tyre, ku Miri Hoti u ka shpëtuar jetën, i ka “ndrequr” pjesë të veçanta të trupit, duke i kthyer në normalitetin e kërkuar. Një popull i tëri lëvizi për ditëlindjen e doktorit të tyre dhe që të gjithë bashkoheshin në një emërues:

-Jetë të gjatë Miri Hoti! Të duam shumë dhe lutemi që Zoti të japë bekimin që meriton! Nderi që na ke bërë, të ta kthejë në jetë ty dhe familjes tënde!

Sa mirë! Sa bukur! Në këtë fazë të jetës, çfarë melhemi i jep populli birit të tij. I jep uratën e merituar.

Një kafe me çiftin Hoti. Shansi i një mëngjesi të veçantë. Një mëngjes me mbresa. Një mëngjes i arkivuar në kujtesë. Dhe ne nuk mund të veçohemi nga kori i fuqishëm i urimit popullor:

Jetë doktor Miri, jetë për ju! Dhe ndodhur kështu, shpresoj të tjera shanse, për të tjera kafe si kjo e mëngjesit e 26 majit 2022.

Durrës: 26 maj 2022