Edhe pak ditë na ndajnë nga premiera e komedisë së zezë “Rruga pa emër” e regjisorit rumun Vlad Trifas, që do të shfaqet të hënën e javës së ardhshme në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Ajo është shkruar ekskluzivisht për trupën e Durrësit nga autori Cosmin Pana dhe flet për shpirtin e vërtetë ballkanas.

Pas gati 2 muajsh punë, thuajse gjithçka është gati, ndërsa trupa e aktorëve flet për një shfaqje të veçantë, që do të vijë për publikun durrsak.

“Është një shfaqje jashtëzakonisht e bukur, e mirë. Ka mesazhe pa fund”,– shprehet aktori Xhejni Fama.

“Është ndryshe nga punët e tjera, sepse ndërsa pjesët e tjera punën më të madhe e kemi në tavolinë dhe ditët e fundit kalojmë në skenë tek kjo shfaqje, për shkak të natyrës që ka është punuar shumë më shumë në skenë”,– thotë aktorja Mimoza Marjanaku.

Ndërsa për aktoren Alesia Xhemalaj kjo shfaqje “është një nga ato punët e rralla, që është mirë të bëhen sa më shpesh”.

Për herë të parë në kaq vite pune në teatër, aktorët kanë zhvilluar audicione, para se t’u caktohej roli.

“Për këtë shfaqje ne bëmë audicion. Kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse na impenjoi që në fillim. Që këtu nisi sfida e parë”,- thotë Ervin Doko, që në këtë shfaqje ka një nga rolet kryesore.

Bashkëpunimin mjaft të mirë me regjisorin e huaj e dëshmojnë edhe përmes batutave.

“Ne shpesh e thërrasim Vladi, në disa raste edhe Ladi, e shqiptarizojmë. Ndërkohë në Rumani regjisorin tonë të gjithë e thërrasin Vlad”,- rrëfen aktori Romir Zalla.

Entusiazmi që karakterizon në këto ditë të fundit gjithë trupën premton për një shfaqje, që do të rrëmbejë vëmendjen e publikut.

“Dua t’ju ftoj në teatër. Teatri është një ëndërr. Ne ekzistojmë vetëm kur audienca na ndjek. Ne jemi hije, në momentin kur dikush na sheh ne ekzistojmë. Kur nuk na shohin ne nuk ekzistojmë. Zhdukemi. Qëllimi ynë është të jemi këtu për audiencën”,– tha regjisori Vlad Trifas, gjatë konferencës për shtyp.

Komedia “Rruga pa emër” sjell për publikun mjaft risi si në skenografi ashtu edhe në mënyrën e konceptimit të marrëdhënies së aktorëve me skenën e transformuar nga formati tradicional i teatrit klasik. Kjo është hera e tretë në historinë e tij 71-vjeçare, që teatri i Durrësit realizon një bashkëpunim me regjisor të huaj.

M.B.