Kryeministri Edi Rama dhe kreybashkiakja Emiriana Sako e kanë nisur këtë të enjte me një lajm të mirë:

Në Durrës do të hapë dyert qendra sportive Rafa Nadal, e tenistit të njohur Rafael Nadal, për fëmijët dhe të pasionuarit e këtij sporti nga Shqipëria e rajoni, krah për krah me Akademinë e Futbollit të Manchester City-t.

Kompleksi i ri, qëllimi kryesor i të cilit është të zhvillojë dhe promovojë tenisin dhe sportin në Shqipëri, do të ritheksojë angazhimin e Rafa Nadal dhe ekipit të tij ndaj vlerave në sport dhe edukimit të fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën.

Në takimin që pati me Kryeministrin Rama, vetë Rafael Nadal shprehu kënaqësin për hapjen e kësaj qendre.

“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë ndërtimin dhe hapjen e një qendre në Shqipëri.  Projekti është i jashtëzakonshëm dhe ne na pëlqeu vizioni i vendit për promovimin e sportit dhe vlerave të tij. Jam i sigurt se do të ketë sukses”.

Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri do të ketë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Wellness, një pishinë dhe një zonë restoranti. Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj.

Fëmijët dhe të rriturit do të mund të përfitojnë nga shkollat e tenisit dhe padelit, si dhe nga shërbimet e fitnesit, mirëqenies, shëndetit dhe restorantit, që synojnë krijimin e një mjedisi sportiv, të shëndetshëm dhe mikpritës.

Qendrat Sportive Rafa Nadal kanë lindur si një linjë e re qendrash sportive të frymëzuara nga Akademia Rafa Nadal (Mallorca) që vendosen pranë kompleksesh pushimi të klasit të parë, duke ofruar vlerë të shtuar për vizitorët, ose në qytetet ndërkombëtare, që synojnë të kënaqin dhe kërkesat e banorëve.