Në kuadrin e veprimtarive kushtuar librit , Biblioteka Publike Durrës organizoi takimin përurues të vëllimit me poezi “”35 HERË MUZË”.

Nuk ishte një ngjarje thjesht letrare, por një përqafim mes fjalës dhe ndjeshmërisë – një mbrëmje ku poezia u lexua, u dëgjua dhe u ndje.

“Në këtë vëllim të 3-të poetik, Anisa Liço vjen një pjekuri letrare nxitur nga ngjarjet e jetës, të cilat ia grisin emocionet dhe ndjenjën njerëzore. Tre komponentë kryesorë të vëllimit me poezi “”35 herë Muzë” janë:

  1. Ndjeshmëria njerëzore – një burim i brendshëm reflektimi, ku vargu i lirë strukturohet në mënyrë eseistike, duke funksionuar si metaforë e përçimit të dritës, pavarësisht errësirave të jetës. Këtu autorja kërkon kuptimin përmes triadës “Dimri–Koha–Muzgu”.
  2. Ndjeshmëria femërore – përmes “Pritjes, Mallit dhe Heshtjes”, Anisa i jep zë një bote të brishtë, por të fortë njëkohësisht: dashurisë, lidhjeve familjare, mungesës, forcës për të qëndruar, edhe kur gjithçka kërkon të të thyejë.
  3. Ndjeshmëria shpirtërore – poezia shndërrohet në një medium meditimi dhe rishikimi, ku ndërthuren reflektime psikologjike dhe filozofike mbi ndjenjat si trishtimi, dhimbja, por edhe shpresa. Vargu bëhet kështu një oksigjen letrar që ripërtërin si autoren, ashtu edhe lexuesin.

Me këtë vepër, Anisa Liço jo vetëm që konfirmon zërin e saj poetik, por edhe e sfidon atë – duke e shtyrë më tej drejt një poezie introspektive, të ndjeshme dhe të vërtetë”- Kështu shkruan për vëllimin poetik “35 Herë Muzë”, Arjola Kondakçiu, redaktorja e e librit.

Moderatorja e takimit Teuta Dhima në bisedën me poetën u ndal në faktin që rruga profesionale e Anisa Liços është shtrirë në tri drejtime duke krijuar një trekëndësh empatik mes mjekësisë, poezisë dhe psikologjisë.

Ajo e nisi rrugën si kirurge, për të vijuar më pas me një diplomim në psikologji, ndërkohë që brenda saj frymonte gjithnjë poetja – ajo që i jep zë të pathënës. Ka botuar tri vëllime me poezi, ku fjala bëhet mjet ndjeshmërie, reflektimi dhe shërimi. Një grua që shëron trupin, prek shpirtin dhe flet me ndjenjën – ajo na fton të besojmë se njeriu është shumë më tepër se diagnoza apo fjala e bukur: është një i tërë që duhet dëgjuar.

Si një mjeke-poete edhe në këtë mbrëmje poetike ajo erdhi me disa receta poetike të cilat i ndau me të pranishmit të cilët i lexuan dhe i ndanë ato duke u përfshirë në një bisedë të këndshme mes tyre dhe poetes.