Prej pak ditësh ka përfunduar vendosja e murales me reliev, e cila tashmë i jep më shumë ngjyra dhe gjallëri godinës 7 katëshe të njohur si pallati i VIP-ve, në Durrës.

Vepra e artit është fryt i idesë për vullnetarizmin e të rinjve dhe bashkëpunimin në komunitet për ringritjen pas tërmetit.

“Vepra e artit u realizua përmes Qendrës Durrësi Aktiv, në kuadër të “Reagimit të Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve (ESPR)”, një projekt i zbatuar nga UNDP.  Vepra e artit përfaqëson logon e nismës “Jamvullnetar.al”, që përbën një platformë komunitare në internet për ndërveprimin e vullnetarëve dhe organizatave në qytetin e Durrësit. Ajo synon të nxisë ndjenjën e vullnetarizmit dhe të përkatësisë tek komuniteti në Durrës, Kjo murale shërben si një pikë takimi e individëve të ndryshëm, por që i bashkon dëshira për të qenë vullnetar.”,– tregon Livia Kreko, koordinatore e qendrës “Durrësi aktiv”. 

Autori i murales, Lysien Koci rrëfen për “DurrësLajm” se u deshën rreth 2 javë punë për përfundimin e saj, ndërkohë që materialet e përdorura  janë po të njëjtat me të cilat është ndërtuar pallati.

“Si material qendror për format ka shërbyer polisteroli termik, që përdoret për termoizolimin e fasadave të godinave. Na është dashur rreth dy javë për të prerë dhe dhënë formë pjesëve të murales. Më pas bëmë montimin e tyre në fasadën anësore të pallatit”, – thotë Koci.

Artisti Koci thekson se qëllimi i kësaj vepre arti është rikthimi i shpresës tek njerëzit e prekur nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit 2019.

“Kompozimi aty i jep goxha ngjyrë e gjallëri ndërtesës dhe qëndron këndshëm, pa cënuar arkitekturën apo fasadën e saj”, shtoi artisti.

Pallati i VIP-ve është ndër të parët pallate të përfunduara në Durrës si pjesë e programit të rindërtimit, megjithëse ai ende nuk u është dorëzuar banorëve.

M.B.