Prej disa ditësh, në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” në Durrës është hapur ekspozita e piktorit çek Chrisantem Machacek.

I riu nga Republika Çeke vjen për herë të parë në Shqipëri dhe gjithçka nisi nga një ftesë e bërë nga miku i tij.

Kjo është ekspozita e tij e parë personale në një vend të huaj dhe ndihet mjaft i kënaqur nga feedback-u që ka marrë prej artdashësve durrsakë.

Pjesë e ekspozitës janë 73 piktura dhe foto bardh e zi, të realizuara prej Machacek në 5 vitet e fundit.

Piktori çek preferon të përdorë akrilikun dhe bojërat e vajit në tablotë e tij, të cilat i ngjajnë mozaikëve ku shpesh ndërthuren brenda të njëjtës tablo njerëz dhe objekte, që jo gjithnjë kanë lidhje organike mes tyre.

Machacek preferon të përdorë një miksim ngjyrash në tablotë e tij, ndërkohë që kalon nga natyrat e qeta, tek instalacionet dhe personazhet mistike.

Për “DurrësLajm“, ai tregon se ishte i ndrojtur t’i ekspozonte punimet e tij para publikut, por ndihet mirë nga impakti pozitiv që ka marrë nga artdashësit.

“Mu bë një ftesë nga miku im Arjan, që kishte parë punimet e mia në Pragë.

Është hera ime e parë që shoh punimet e mia të ekspozuara të gjitha në një vend dhe ndihem shumë mirë.

Shumë njerëz vijnë këtu çdo ditë dhe i pëlqejnë punimet.

Tablotë i kam pikturuar në 5 vitet e fundit në shtëpinë time dhe isha i ndrojtur që t’i ekspozoja.:”

Do të vini sërish në Durrës?

Po, besoj se po, sepse kam këtu miq të mirë.

Më pëlqen deti dhe mbase në verë do të vi të shijoj natyrën, notin dhe banjot e diellit.