10 mijë tapa shishesh plastike për të ndërtuar një robot të riciklueshëm. Nisma ekologjike është ndërmarrë nga disa studentë të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit pranë UAMD-së,

Por si u lindi studentëve ideja për këtë nismë inovative dhe ambientaliste?

“Kjo ide nisi pasi ne studentët e IT-së morëm pjesë në një trajnim të zhvilluar për mbrojtjen e mjedisit. Ne menduam të bëjmë një nismë ekologjike në funksion të teknologjisë”.- tregon për “DurrësLajm” studentja Eneda Gjoka, e degës së Shkencave kompjuterike në FTI.

“Duke mbledhur tapat e shisheve plastike dhe duke i bashkuar ato ne mendojmë të realizojmë një robot, i cili do të jetë pjesërisht funksional, por më tepër jemi fokusuar në pjesën vizuale të tij.”,- na thotë studentja Ester Çeço.

Kanë vetëm 24 orë që kanë vendosur koshat për mbledhjen e tapave, në katin e parë në godinën universitare në Currila, por mbështetësit nuk u mungojnë.  

Fushata e mbledhjes së tapave pritet të zgjasë dy javë dhe më pas do të nisë puna për realizimin e robotit dhe gjetjen e sponsorit për ta shndërruar robotin ekologjik në funksional.

“Shpresojmë që në vazhdim të na bashkohet edhe një sponsor, që do të na ndihmojë për blerjen e qarqeve për ta bërë robotin funksional”,- thotë studentja Çeço.

Megjithëse janë të kënaqur nga mbështetja që kanë marrë nga të gjithë bashkëmoshatarët e tyre dhe pedagogët, apeli i studentëve shkon edhe për qytetarët e Durrësit, që ftohen t’u bashkohen këtyre të rinjve.

“I ftojmë të gjithë studentët të na bashkohen, sepse ky është një projekt i hapur. Çdo student që vjen në UAMD mund të kontribuojë duke hedhur një tapë në koshat tanë, në vend që t’i hedhë ato diku tjetër. Edhe qytetarët janë të mirëpritur të na bashkohen, të vijnë dhe të marrin më tepër informacion për projektin e pse jo të bëhen pjesë e tij”.

Ndotja e mjedisit nga plastika është një fenomen që po dëmton jo pak florën dhe faunën e planetit tonë. Pjesë e sfidës për të kontribuuar sadopak për mbrojtjen e tij po bëhen edhe këta të rinj, që me nismën e tyre synojnë ndërgjegjësimin e të gjithë shoqërisë për rrezikun që na kanoset.

M.B.