Disa të panjohur, që ngatërrojnë identitetet dhe tradhtojnë partnerët në një hotel, që përpiqet të qëndrojë me forcë në këmbë.

Kjo është komedia angleze “Një shtrat plot me të huaj”, që e nisi rrugëtimin e saj për herë të parë në Shqipëri nga teatri i Durrësit.

“Është një komedi angleze nga një autor shumë i njohur Dave Freeman përkthyer nga Kastriot Çipi.

Ngjarjet vendosen në një hotel, i cili ka pritur dhe përcjellë karaktere nga më të ndryshmet. Vijnë çifte që ngatërrohen me njëra-tjetrën, njerëz që ndryshojnë identitetin e tyre”, tregon për kamerën e “DurrësLajm” regjisorja Adelina Muça.

Gjithçka nis, kur stafi i paaftë i hotelit në kufirin franko-gjerman shkakton rrëmujën, me dy çifte që prenotojnë të njëjtën dhomë.

Prej këtu nis rrugën komedia, që për regjisoren përcjell një mesazh të fortë dhe më aktual se kurrë.

“Ai mesazh të cilin unë kam dashur ta përcjell është fakti që njerëzit ndonjëherë tregohen budallenj dhe lodhen duke u treguar ata që nuk janë në të vërtetë. Është më e thjeshtë që ne të tregohemi ata që jemi”, thotë ajo.

Jo vetëm aktim, por dhe kërcime e këngë, aktorët sollën për publikun një shfaqje që i kishte të gjitha.

“Ka qenë shumë kënaqësi, pavarësisht se shfaqja ka shumë detaje dhe ka qenë shumë e lodhshme. Ka qenë një proces goxha i gjatë, por kimia mes nesh do të reflektojë tek publiku”, shprehet Rudina Dembacaj, në rolin e Brendës.

E ndërsa Durrësi pret të nisë sezonin veror, drejtoresha e hotelit në komedi, Mimoza Marjanaku, ka një apel drejtuar strukturave akomoduese.

“Me këtë rast, meqë unë jam aktore e Durrësit dhe ne 2 muaj na ndajnë nga sezoni turistik, do të përfitoj nga rasti, meqë luaj personazhin e pronarit të hotelit, t’i bëj një thirrje pronarëve të hoteleve, që reklamojnë një hotel të shkëlqyer me kushte të përsosura dhe në fakt, njerëzit që vijnë gjejnë atë që s’kanë pritur”, apelon ajo.

Pas Durrësit, “shtrati plot me të huaj” do të udhëtojë drejt kryeqytetit dhe pritshmëritë janë shumë të larta.

K.Gj.