Çështja e Kosovës po kthehet ne një nyje gordiane e cila mund t’i kushtojë edhe postin presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Mediat serbe e ato kosovare raportojnë pakënaqësi në rritje e probleme të brendshme për kreun e shtetit serb, i cili informon sot kabinetin qeveritar lidhur me bisedimet e zhvilluara me të dërguarit e SHBA, BE, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Këtë moment, Vuçiç vetë e ka përshkruar si një ndër më të vështirët për Serbinë, pasi siç tha, ka të bëjë më atë qe e pret vendin në të ardhmen. Kryetari i Bordit Ekzekutiv të PPS të Vuçiçit, Darko Glishic thuhet të ketë raportuar se presidenti serb, njëherazi lider i partisë në fjalë, po mendon edhe dorëheqjen.

“Por nëse e jep vërtet, shtoi Glishic, atëherë them se kjo gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Serbisë”. Pas takimit me kryeministren Ana Bërnabic dhe ministrat lidhur me bisedimet për Kosovën dhe takimin me “pesëshen” ndërkombëtare, që u mbajt të premten, Vuçiç pritet t’i drejtohet publikut sot në orën 20:00.

Raportet në shtypin vendas tregojnë se kreu i shtëtit ka pasur një përplasje me aleatët e ngushtë të partisë së tij ku nuk kanë munguar thirrjet refuzuar negociatat me SHBA dhe BE, dhe është shprehur se nëse dikush mendon se mund ta udhëheqë vendin më mirë se ai, është gati të japë dorëheqjen dhe pas kësaj, ka braktisur takimin.