Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka denoncuar investimin prej 2 milionë eurosh për rehabilitimin zonës në Kodër-Currila.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bylykbashi shkruan se ky projekt kishte për qëllim të mbronte terrenin nga rreshqitjet dhe do ta kthente atë në shëtitore, por që tashmë është zhdukur.

“Çfarë prove tjetër i duhet prokurorisë që të hetojë e çojë para drejtësisë përgjegjësit e korrupsionit? Çfarë u duhet më shumë se kaq prokurorëve?”, shkruan ndër të tjera ai.

Sakaq, Bylykbashi thotë se duhet një ndërhyrje e menjëhershme në Kodër-Currila për të parandaluar ndonjë ngjarje të rëndë.

Postimi i plotë:

Nuk ka krim pa gjurmë, ka krime që nuk hetohen!

Ju kujtohet projekti 2 milion Euro që gjoja do të rehabilonte kodrën e Currilave?

Projekti që gjoja do të mbronte terrenin nga rreshqitjet dhe do ta kthente në shëtitore?

Ja, kështu si në foton e parë.

Ka kohë që shëtitorja, që pakkush e përdori, është zhdukur nga rrëshqitjet dhe rrëshqitja e sotme në fotot e tjera, është prova e fundit e korrupsionit të atij projekti që synonte vetëm vjedhje të parave që durrsakët dhe shqiptarët ia paguajnë me pare gjaku qeverisë.

Ka kohë që vjedhjet me projekte “kozmetike” nga 500 mijë euro si ai i tenderit fallso i Bashkisë Tiranë deri në 2 milionë euro si ky i shëtitores së zhdukur në Currila të Durrësit i duken vogëlsira qeveritarëve në Tiranë, Durrës, etj. U duken si “5 fronga të qelbta”.

Çfarë prove tjetër i duhet prokurorisë që të hetojë e çojë para drejtësisë përgjegjësit e korrupsionit? Çfarë u duhet më shumë se kaq prokurorëve?

Nuk besoj se duhet pritur që rrëshqitja e radhës të mbulojë ndonjë jetë njeriu, se atëhere kjo ndyrësi nuk është korrupsion i harruar, është vrasje e paralajmëruar!

Jo zotërinj, ju nuk mund ta vrisni Durrësin. Durrësi është shtëpia e tolerancës. Por Durrësi nuk harron.

Durrësi ka qenë, është dhe do të jetë qyteti ku shqiptarët, dinë të jenë të lirë!