S’na merr malli të dalim në pazar, që të gjitha janë rritur”,- është refreni që dëgjon gjithnjë e më shumë nga qytetarët, sidomos pensionistët e të papunët.

Rritja e ndjeshme e çmimeve të shportës po rëndon buxhetet familjare. Për qytetarët e Durrësit përballimi i tyre është bërë gjithnjë e më i vështirë, ndërkohë që zgjidhja e vetme mbetet reduktimi i sasive të produkteve që blejnë dhe eleminimi i disa ushqimeve që mund t’i konsiderojnë jo të domosdoshme.

Rënien e fuqisë blerëse kanë nisur ta ndjejnë edhe tregtarët e vegjël. Ata pohojnë për “DurrësLajm” se klientela priret të mos bëjë shpenzime të shumta, sepse tek të gjithë ekziston frika për të nesërmen.

“Klientela besnike vijon blen mish, pasi çmimi është i ulët, vetëm 550 lekë” – na thotë një tregtar, por pranon se sasia e kilogramëve po reduktohet.  

Për qytetarët me të ardhura të ulta dhe pensionistët, jetesa po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme. Duke e konsideruar abuzive rritjen e çmimeve, ata i përkrahin protestat popullore.

“Shumë mirë bëjnë, pse të mos çohen. Ku do të përplasen, s’kanë çfarë të bëjnë. Ajo është mënyra më e fundit e ngritjes së zërit, ku do të shkojnë tjetër”,- thotë një pensioniste.

Një natë më parë, e ftuar në një emision televiziv, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj habiti jo pak opinionin publik kur deklaroi se një person duhet të ketë të ardhura 130-140 euro në muaj, për të mos u konsideruar i varfër në situatën ku po jetojmë, me rritjen e çmimeve të shportës me rreth 20% krahasuar me janarin e këtij viti.

M.B.