Një sërë shtetesh kanë nisur lehtësimin e masave kundër Covid-19, por Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje që kjo të bëhet në mënyrë të qëndrueshme dhe të ngadaltë, pasi të dhënat e fundit kanë treguar një rritje të vdekjeve të lidhura me koronavirusin në të gjithë botën.

Varianti Omicron po përhapet në një shkallë të gjerë në të gjithë botën dhe mund të shfaqen edhe mutacione të reja. Prandaj, është shumë herët për të lehtësuar kufizimet e parandalimit të epidemisë, paralajmëroi OBSH në një konferencë për shtyp.

“Që kur Omicron u identifikua për herë të parë vetëm 10 javë më parë, pothuajse 90 milionë raste janë raportuar në OBSH, më shumë se sa janë raportuar në të gjithë vitin 2020. Tani kemi filluar të shohim një rritje shumë shqetësuese të vdekjeve, në shumicën e rajoneve të botë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Kreu i OBSH përsëriti shqetësimin e tij për narrativën që po përhapet në disa vende se për shkak të vaksinave dhe për shkak të transmetueshmërisë së lartë dhe ashpërsisë më të ulët të Omicron, parandalimi i transmetimit nuk është më i mundur dhe nuk është më i nevojshëm.

“Është e parakohshme që çdo vend ose të dorëzohet, ose të shpallë fitoren. Ky virus është i rrezikshëm dhe vazhdon të evoluojë para syve tanë. OBSH aktualisht po gjurmon katër nën-linja të variantit të shqetësimit Omicron, duke përfshirë BA.2”

OBSH mendon se kulmi i Omicron nuk është kaluar ende, ndërsa shumë vende kanë nivel të ulët të vaksinimit.