PRISHTINE – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherazi edhe kryetar i PDK-së,- në një intervistë për “Radio Dukagjinin” ka thënë se bisedat për koalicionin mes partisë së tij dhe AAK-së, janë më serioze sesa paraqiten në disa media.

“Vullneti ynë i treguar për partneritet strategjik mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është një dëshirë dhe një objektiv real që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Gjërat janë më serioze sesa që paraqiten në disa media ndonjëherë”,- ka theksuar shefi i ekzekutivit.

Ai ka pohuar se ofertën për bashkëqeverisje me AAK-në do ta prezantojë pas zgjedhjeve në PDK.

“PDK është në fazën finale të përmbylljes së zgjedhjeve të brendshme. Kështu që do të përmbyllet ky proces dhe pastaj do të diskutohen gjërat edhe konkretisht për ofertën që do ta prezantojë Partia Demokratike e Kosovës për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e që duhet të jetë një ofertë e dyanshme, e vullnetit të ndërsjellë, reciprok dhe përgjegjësive të përbashkëta”,- ka thënë Thaçi

Ndërkohë, kur është pyetur nëse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka kërkuar postin e kryeministrit, Thaçi ka thënë se asnjëherë nuk është diskutuar për çështje konkrete.

“Për çështje konkrete nuk është biseduar në asnjë takim”,- ka deklaruar Thaçi.