Oficeri i skuadrës së kërkimit “Fast”, Jeton Lami, i arrestuar me akuzën se ka ndihmuar Ervis Martinajn në lëvizjet e tij teksa ishte person në kërkim del në pah edhe në ngjarjen 17 korrikut 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës ku u vranë tre persona.

Në këtë ngjarje humbën jetën Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata. Prokuroria ka zbuluar se oficeri Jeton Lami është personi që ka shërbyer si shofer dhe ka transportuar Brilant Martinajn dhe Diklen Vatën nga restorant “….” te një servis në fshatin Larushk.

Nisur nga kjo indice e re, Policia dhe Prokuroria e Krujës, po shikojnë mundësinë e marrjes në pyetje të Jeton Lamit për rolin e tij në ngjarje ku mbetën të vrarë tre të rinjtë. Oficeri aktualisht ndodhet në burgun e Shën Kollit në Lezhë, ndërsa dy ditë më parë iu drejtua Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kërkuar masë më të lehtë sigurie se ajo e “Arrestit me burg”. Pyetja e tij pritet të realizohen javën e ardhshme, ku Lamit do t’i kërkohen shpjegime si person që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes ku mbeti i vrarë i afërmi i Ervis Martinajt.

Ky i fundit prej më shumë se një muaji është denoncuar nga familjarët për humbjen e kontakteve. Personi i fundit me të cilin Martinaj ka lëvizur mbrëmjen e 9 gushtit 2022, ka qenë polici Jeton Lami. Edhe në masakrën e Fushë-Krujës, personi i fundit që Briland Martinaj dhe Diklen Vata, takuan dhe lanë pas, ishte pikërisht polici i Operacionales.

Ata u vranë në një atentat mesditën e 17 korrikut në zonën e mbikalimit të Fushë Krujës nga persona ende të pa identifikuar. Sipas grupit hetimor të kësaj dosje, tre viktimat Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, u qëlluan befasisht me 91 plumba nga një armë e vetme, çka do të thotë se autori ka qenë qitës profesionist dhe se ka ndërruar karikatorët e kallashnikovit brenda pak sekondash.