Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja”. Operacioni, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

I akuzuar nga autoritetet e Italisë, si bashkëpunëtor për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 26-vjeçari.

Si rezultat i aksioneve intensive gjurmuese dhe lokalizuese për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat kryhen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja”.

Gjatë operacionit, në Durrës, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar K. K., 26 vjeç.

Autoritetet në Itali i kanë caktuar 26-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, sipas përcaktimeve të Kodit Penal të Italisë.

Shtetasi K. K. akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar dhe ka shitur në Itali, lëndë narkotike të ndryshme.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi.