Nga ARTUR ZHEJI 

Askush nuk e di nëse ish te e domosdoshme që të kishim plus edhe një detashment policor të ri me emërtesën OFL. Askush nuk mund të thotë me siguri se shpikja e kujt është, pra, ky korpusi i ri policor, OFL.

Por, megjithatë, gjykuar së jashtmi edhe nga rreshtimi, nga veshjet, nga jelekët e rinj dhe syzet e zeza me një dizenjim të veçantë, duken të mirëveshur dhe të devotshëm.

Askush nuk e di se çfarë do bëjnë në të ardhmen Forcat “Shqiponja”, për shembull, do varen nga këta të OFL-së, apo këto “Shqiponjat” tashmë do të fluturojnë ulët, sepse radhën e kanë OFL-istat me syze të errëta?

Apo forcat elitë të FNSH-së, Forcat e famshme të Ndërhyrjes së Shpejtë, që i kemi parë edhe me maska antiterror nëpër aksione të rrezikshme…

OFL shfaqet me një look paksa ndryshe, ku bien në sy gjyzlykët e zeza… Syzet e errëta fshehin sytë, por janë të pamjaftueshme për të maskuar fytyrën nga krimi i organizuar, që i njeh edhe pa syze. Nga ana tjetër, dihet se “çunat e krimit” mbajnë dhe ata shpesh syze të errëta dhe kapuça alpinë.

Por, mbi të gjitha, “çunat e krimit”, që janë edhe “çuna problematikë” në kohë zgjedhjesh, kanë xhepin e ngrohtë me shumë para, kanë makinat më të shpejta dhe, mbi të gjitha, ata kanë dhe numrat e duhur të telefonave të duhur, të shefave të duhur, në celularët e tyre.

Mirëpo, këto ditë, ashtu sikundër bëmë me dije, hyri në skenë një korpus i ri policie, ku bien në sy gratë police dhe sidomos “spikerja” e tyre, me tipare të ftohta gjermanike…

Që gocat bionde me syze të errëta të OFLsë së fushatës së re antikrim, të kenë, pra, ndonjë shans të vërtetë, që të fitojnë ndonjë betejë të vërtetë në qoftë se do ketë ndonjë luftë të vërtetë kundër krimit, nuk duhet të tradhtohen në mes të rrugës nga kryeshefat e tyre.

Sidomos kur afron fushata zgjedhore dhe çunat problematikë me syze të zeza shndërrohen si nëpër përralla në çunat që mbledhin votat e duhura për pushtetin.

Ah, po në qoftë se qeveria po përgatit personazhet dhe aktorët e filmit të ri serial dhe televiziv, “Lufta kundër krimit 2020”, mund të thuhet se këto policet bionde, me flokë të oksigjenuara me kaq kujdes në parukeri janë jashtë çdo dyshim një yll i vërtetë.

Dhe së bashku ato krijojnë një gati “racë” të re policësh modernë, si nëpër filmat e luftërave ndëryjore…

Kontrasti piktoresk i së verdhës verbuese, të policeve bionde, me uniformën blu të thellë dhe syzet me xhama të mëdhenj dhe të zi, është, pra, një kontrast i goditur. Porse vetëm një kontrast i gjetur filmik dhe televiziv, por duhet me pa më tej. Urime, pra OFL-së, superfigurante! Mjerë çunat e krimit, duket se atyre u kanë hyrë dridhmat në bark…./360grade.al