“Opozita e bashkuar” u mblodh sërish, këtë herë në Shijak.

13 partitë e spektrit opozitar kanë krijuar prej pak muajsh tashmë Federatën e Opozitës së Bashkuar, për të mbledhur forcat kundër asaj, që ata e konsiderojnë megamaxhorancë.  

Për drejtuesit e kësaj Federate në qarkun e Durrësit, lejimi i koalicioneve parazgjedhore dhe unifikimi i opozitës janë ndër kushtet themelore për të shkuar drejt zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Rama e ka prishur dorën, tani nuk lejon më koalicionit dhe çuditërisht i ka funksionuar, sepse sot ai qeveris me 48% të votave të shqiptarëve. Pra nuk ka 51% për të qeverisur dhe opozita, përtej bindjeve, duhet të kuptojë një gjë: Që të vijë sot në pushtet duhet të bëhemi të gjithë bashkë. Kjo është e vërteta e madhe”,- tha ndër të tjera koordinatori për qarkun e Durrësit, Igli Cara.

“Të kthehen koalicionet e përbëra siç kanë qenë, që do të thotë të hyjmë siç kemi hyrë në zgjedhjet e vitit 2013. Pra në një koalicion opozitar, një parti të ketë siglën e vet, identitetin e vet. Numri i votave është më i kufizuar në fakt dhe nëse kalon numrin e votave të përgjithshme këto vota i kalojnë të gjithë grupit opozitar”,- ishte kërkesa e Agron Dukës, koordinator i Federatës.  

Takimit të opozitës së bashkuar në Shijak i ka paraprirë takimi i Durrësit, i zhvilluar një muaj më parë.

M.B.