Rikthehet sërish në Durrës Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor. Pas koncertit të dhënë një vit më parë në amfiteatrin antik, këtë herë kocerti u mbajt në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Ishin plot 66 artistë të rinj nga 17 vende të Evropës që u bënë bashkë për të sjellë për artdashësit durrsak një repertor të larmishëm, ku ndërthureshin pjesë nga më të njohurat e muzikës klasike si dhe orkestrime të reja të këngëve më të famshme pop dhe rock.
“Ky është një projekt afatgjatë. Për të qenë të sinqertë ne duam të jemi pjesë e Ballkanit Perëndimor me koncertet tona, me projektet tona. Ne kemi bërë një bashkim të rrymave të muzikës klasike me muzikën moderne duke u bazuar edhe në këngët pop & rock të Ballkanit Perëndimor, të cilat I kemi sjellë me një frymë të re, me një orkestër të madhe siç është kjo dhe kjo e bën edhe më interesant programin tonë.”,- deklaroi para koncertit dirigjenti Desar Sulejmani.
Shumë nga instrumentistët e rinj merrnin pjesë për herë të parë në këtë event artistik, që përmes muzikës bën bashkë të rinjtë dhe përcjell mesazhe të forta.
“Është e vështirë të na bësh të gjithëve ne bashkë, por në momentin që njihemi me njëri-tjetrin është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, pasi të gjithë përdorim të njëjtën gjuhë, muzikën, e cila lidh shpirtrat bashkë”,- tha një violiniste nga Serbia.
Ndërsa për një instrumentiste nga Bosnje-Hercegovina, pjesëmarrja në këtë event i përngjet një filmi.
“Ndihem sikur po jetoj një tjetër jetë. Nuk e di si do të jetë kur të kthehem në shtëpi, pasi këtu ndihesh në një botë komplet tjetër, si një film. Ishte e vështirë në fillim, ishte sfiduese, por tani gjithçka po shkon shumë mirë, duket kaq bukur”.
Ky është edicioni i dytë i koncertit të orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe siç premtojnë organizatorët, nuk do të jetë i fundit.
M.B.