Aurelio De Laurentiis, presidenti i Napolit, ka bërë disa deklarata për emisionin spanjoll “Chiringuito” dhe media të tjera pas disfatës ndaj Real Madridit në Champions League.

Natyrisht nuk mund të mungonte një koment për Osimhen – “Ai është gjithmonë i fortë, ai është një lojtar që krijon një ekip vetëm. Nuk është për debat”.

Rinovimi – “Nuk ka asnjë problem, nuk ka patur kurrë një problem me Osimhen: të gjithë në Napoli janë të lumtur, problemi është kur largohen ata nuk mund të gjejnë më rrugën kryesore”.

Presidenti më pas komentoi për ndeshjen, të cilën e humbën kundër Real Madridit, e cila e pa Napolin në nivelin e një prej skuadrave më të forta në botë.

“Unë kam shumë besim pas kësaj ndeshje. Reali është shumë i fortë, ata luajnë shumë. Dhe Ishte një ndeshje që më pëlqeu shumë. Carlo Ancelotti, është një mik, një zotëri i madh. Tifozët duan të fitojnë, nëse nuk fitojnë ata gjithmonë kanë diçka për të kritikuar. Por dikush si Ancelotti nuk mundet të kritikohet si burrë, futbollist apo trajner. Ai është i madh. Nuk e kam parë, nuk doja të ndikoja para ndeshjes. Tani ai do të festojë, është e drejtë ta lëmë pastaj do ta shoh në Madrid. Nuk i kam derguar asnje mesazh per momentin. Dua ta lë të shijojë mbrëmjen. Në çdo rast edhe unë jam shumë i kënaqur me ekipin tim, i cili ishte konkurrues dhe shumë i mirë”, tha De Laurentiis.