Në akset rrugore të vendit tashmë është vendosur një pajisje inteligjente e cila monitoron 24/7 lëvizjen e mjeteve, duke regjistruar shpejtësinë, targën e mjetit dhe zbatimin e rregullave të tjera si vendosjen e rripit të sigurisë, apo përdorimin e celularit në timon.

Pasditen e djeshme kjo pajisje ka monitoruar rrugët e Durrësit, duke konstatuar një sërë shkeljesh.

Përgjegjësi i Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore, Luan Lami tha se në aksin rrugor “Adria”, brenda pak orësh kjo pajisje ka regjistruar mbi 200 shkelje, ku 60% të tyre janë për pezullim të lejes së drejtimit.

“Shkelja primare që konstaton makina është shpejtësi mbi normat e lejuara. Operatori që është te zyra e policië rrugore shef shkeljen dhe bën pamjen vizuale të fotografisë dhe në qoftë se është me rrip, pa rrip apo duke përdorur telefonin. Plotësohet procesverbali për shkeljen e konstatuar. Për këtë segmet të rrugës ku kemi vendosur makinën është 40 km/h kurse ne kemi konstatuar mbi 200 raste ku 60% e tyre janë për pezullim të lejes së drejtimit.”,- tha Lami.

Kujtojmë se gjoba u dërgohet shoferëve që kanë shkelur rregullat brenda 30 ditëve përmes Postës Shqiptare.